Man City kontakton për mesfushorin e Nottingham Forest, goditje për Man Utd
Manchester City ka bërë kontakt të drejtpërdrejtë me përfaqësuesit e Elliot Anderson për një transferim të mundshëm me vlerë të lartë gjatë afatit kalimtar të verës.
Ky zhvillim përbën një goditje të madhe për rivalët, Manchester United, të cilët e shihnin mesfushorin e Nottingham Forest si objektivin e tyre kryesor.
Pep Guardiola është një admirues i madh i 23-vjeçarit, reprezentues i Anglisë, duke e konsideruar atë si një mesfushor ideal dhe të gjithanshëm, qoftë në rolin e numrit 8 apo si organizator i lojës nga prapavija, perfekt për sistemin e bazuar në posedim të Cityt.
Burime pranë lojtarit sugjerojnë se vetë Anderson është i hapur për një kalim në “Etihad”, të cilin e sheh si hapin ideal për të çuar karrierën e tij në një nivel më të lartë.
Man Utd mbetet në ankth, teksa City shfrytëzon avantazhet e pjesëmarrjes në Ligën e Kampionëve, suksesin e provuar dhe reputacionin e Guardiolës për t’u pozicionuar si favorit i qartë në këtë garë.
Kontrata afatgjatë e Anderson me Forest, e vlefshme deri në vitin 2029, i jep klubit një pozicion të fortë negociues, me vlerësime që variojnë nga 80 milionë deri në mbi 100 milionë, shifër që mund të rritet më tej nëse ai shkëlqen në Kupën e Botës.
Nottingham Forest kanë qenë të qartë se nuk kanë interes për një shitje në janar, teksa fokusi i tyre mbetet stabiliteti në Ligën Premier.
Ndërkohë, Chelsea dhe Bayern Munich vazhdojnë të jenë në garë, por gjithnjë e më shumë kjo betejë po merr formën e një përballjeje të madhe mes dy gjigantëve të Mançesterit.
Gjatë këtij sezoni me Forest, Anderson ka regjistruar 21 paraqitje në Ligën Premier, duke shënuar një gol dhe duke dhënë dy asistime. /Telegrafi/


