Please enter at least 3 characters.

Man City i bëhet "hije" Arsenalit, triumfon me përmbysje ndaj Liverpoolit

Manchester City ka arkëtuar pikët e plota në udhëtim te Liverpooli, në kuadër të derbit të xhiros së 23-të në Ligën Premier.

Përballja mes rivalëve anglezë ishte shumë e zjarrtë nga fillimi, me “Qytetarët” që iu gëzuan triumfit krejt në fund me rezultat 1-2.

City e nisi fuqishëm për të rrezikuar me Erling Haaland, i cili ishte afër të shënonte pas dy minutave lojë.

Skuadra e Pep Guardiolas dominoi plotësisht në këtë pjesë, por që assesi s’i finalizoi rastet.

Në pjesën e dytë, Liverpooli ishte më kërkuese ku krijuan disa raste përmes Hugo Ekitike, por dështoi t’i finalizonte.

Ishte Dominik Szoboszlai që realizoi një eurogol për ta zhbllokuar epërsinë, ku me një goditje nga mbi 30 metra prej gjuajtjes së lirë – ai e la italianin plotësisht të shtangur (74’).

Sidoqoftë, 10 minuta më vonë – City u kthye në lojë. Haaland asistoi me kokë për Bernardo Silvan, i cili shënoi nga afërsia për ta barazuar rezultatin (84’).

Krejt në fund, portieri Alisson shkaktoi penallti me një ndërhyrje brenda zonës, ku nga pika e bardhë i pagabueshëm doli Haaland (90+3’).

Në minutat e fundit të kohës shtesë ndodhi edhe një rast “qesharak”, ku Rayan Cherki shënoi nga gjysma e fushës në kundërsulm, por pas rishikimit të VAR-it ndryshoi vendimi.

VAR-i vendosi që kishte një faull nga Dominik Szoboszlai te Erling Haaland, kësisoj goli u anulua si dhe hungarezi u ndëshkua direkt me karton të kuq (90+14’).City kësisoj mbledh 50 pikë, gjashtë më pak se lideri Arsenal derisa Liverpool zë pozitën e gjashtë me 39 sosh./Telegrafi