Please enter at least 3 characters.

Makiaveli për fenë, politikanët dhe duart e përlyera

2019/11/Fadil-Sahiti.jpg

Një element që shpesh i atribuohet Makiavelit është futja e një lloj amoraliteti në politikë. Makiaveli ia kishte vënë vetes qëllimin ta bënte për politikën atë që bashkëkohësit e tij - Da Vinçi dhe Mikelanxhelo - kishin bërë për artin... Apo, Kolombo për eksplorimet dhe pasurimin e hartës botërore. Për shumë studiues, Makiaveli njihet si revolucionar, babai i politikës moderne. I kundërshtonte principet politike të bazuara në kodet morale të cilat, sipas tij, e kanë dobësuar njeriun.

Kritika kryesore e Makiavelit ishte pikërisht te këto principe që thuhet se datonin që nga koha e themelimit të Romës. Sipas mitologjisë, pasi kishte vrarë vëllain e tij Remin, Romuli - që konsiderohet si themelues i Romës - nuk donte të qeveriste më me principe të dhunës. Ndaj, kishte urdhëruar Numën - që do të jetë trashëgimtar i tij - të bëjë ligje dhe kode morale që do zbatoheshin nga qytetarët romakë. Makiaveli përdor Numën për të shpjeguar fuqinë e fesë. Sipas tij, feja nuk duhet vlerësuar sipas vërtetësisë së përmbajtjes së saj, por për efektet që ka në shoqëri.

Efektet e principeve religjioze, sipas Makiavelit, kanë pasur ndikim tepër negativ në shoqëri. Kjo sepse “morali i krishterë e madhëron njeriun e përulur, meditues... murgun, priftin e përulur dhe soditës, e jo njeriun veprues, kërkues e të guximshëm”. Principet e reja politike, thoshte ai, duhet të bazohen në kode morale që përlëvdojnë madhështinë, burrërinë, njeriun e guximshëm.

Për të fuqizuar doktrinën e tij, Makiaveli e rindërton tregimin biblik për Davidin dhe Goliatin. Sipas Makiavelit, Davidi nuk shkon në betejë kundër Goliatit me mburojën dhe hobenë e dhënë nga mbreti i tij izraelit, Sauli (siç thuhet në Dhiatën e Vjetër). Makiaveli ia shton Davidit një thikë. Ky ndryshim i një historie biblike paraqet mesazhin që Makiaveli dëshiron ta përçojë: “Besoni në premtimet e Zotit, por, për çdo rast, merreni me vete një thikë”.

Pra, aluzioni është i qartë. Nëse doni të bëheni princ (politikan), duhet të përlyeni duart. Përndryshe, lëshoni rrugë, sepse politika nuk është për ju. Mos kërkoni të impononi principet e juaja të pastra morale në politikë, sepse kjo nuk do të funksionojë.

Sipas tij, ekziston një konflikt i përhershëm mes kërkesave të të bërit politikë dhe dëshirës për pastërti morale. Pra, politikani s’ka parime morale, sepse vepron brenda një mediumi - standardi tjetër moral.

Po për këtë, a mund të thuhet se Makiaveli ishte plotësisht Makiavelian?

Ndoshta jo. Në kapitullin e nëntë të veprës së tij “Princi” (në disa përkthime, “Sundimtari”), kur flet për dy klasat e shoqërisë - për klasën e popullit (Le popolo) të përbërë nga njerëz të thjeshtë, të cilët nuk dëshirojnë të sundojnë e as të jenë të sunduar, si dhe për klasën tjetër të përbërë nga të mëdhenjtë (Il grande), nga elita, njerëzit e fuqishëm që duan të sundojnë dhe shtypin - ai qartazi mban anën e popullit. Ai shpreh përbuzje për klasën sunduese e cila, sipas tij, është burim i çdo degjenerimi dhe korrupsioni shoqëror.

Elita, sundimtarët e kanë një dëshirë të ethshme për pushtet. E, sipas Makiavelit, këta njerëz janë të paqëndrueshëm, të ligj dhe krejtësisht të paparashikueshëm.