Please enter at least 3 characters.

Makasqi: Ndërgjegjësimi për shëndetin mendor është rritur, por mbetet ende sipërfaqësor

Psikologia e kriminologjisë, Dita Makasqi, gjatë podcastit "Shëndeti në rend të parë", e mbështetur nga United Hospital ka trajtuar një nga temat më të ndjeshme të shoqërisë sonë: shëndetin mendor dhe mënyrën se si ai perceptohet, veçanërisht tek të rinjtë.

Sipas Makasqit, edhe pse vitet e fundit ka pasur një rritje të ndërgjegjësimit për rëndësinë e shëndetit mendor, ky ndërgjegjësim ende nuk është në nivelin e duhur.



“Ndërgjegjësimi është rritur, por unë ende e shoh atë si sipërfaqësor”, thekson ajo, duke shtuar se shoqëria jonë ende nuk ka arritur ta trajtojë shëndetin mendor me seriozitetin dhe normalitetin që meriton.

Një nga problemet kryesore që ajo veçon është frika e vazhdueshme tek të rinjtë për t’u etiketuar.

Siç tha Makasqi, shumë prej tyre hezitojnë të flasin apo të kërkojnë ndihmë, nga frika se do të konsiderohen “problematikë” apo do të trajtohen ndryshe.

Kjo frikë, sipas saj, ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien emocionale dhe zhvillimin e tyre personal.

Makasqi kritikon edhe mungesën e mbështetjes së duhur në institucionet arsimore.

Ajo thekson se shkollat, si hapësira ku të rinjtë kalojnë një pjesë të madhe të kohës së tyre, shpesh nuk ofrojnë një ambient gjithëpërfshirës dhe mbështetës.

Sipas saj, nxënësit që janë më hiperaktivë apo me temperament të fortë, shpesh nuk trajtohen si të barabartë me të tjerët, por shihen si problem.

Për këtë arsye, ajo nënvizon rëndësinë jetike të pranisë së psikologëve në shkolla, si dhe të programeve rehabilituese brenda tyre.

“Është shumë e rëndësishme që shkollat tona të kenë psikologë dhe programe mbështetëse për studentët”, shprehet Makasqi, duke shtuar se shumë prej këtyre të rinjve që sot perceptohen si të rrezikuar, në të ardhmen mund të bëhen profesionistë të shkëlqyer – arkitektë të mirë, doktorë të mirë, apo kontribuues të rëndësishëm të shoqërisë.

Për më shumë shikoni të plotë podcastin "Shëndeti në rend të parë":

- YouTubewww.youtube.com