Mahrez do të largohet nga Manchester City - Guardiola tashmë ka gjetur një zëvendësues te Barcelona me vlerë 60 milionë euro
Mediat angleze shkruajnë se Manchester City tashmë ka gjetur zëvendësuesin për Riyad Mahrez, i cili po largohet për në Arabinë Saudite, ndërsa Pep Guardiola do të përforcohet me yllin e Barcelonës, Raphinha.
Braziliani u largua nga Leeds vitin e kaluar dhe iu bashkua Barcelonës për 58 milionë euro, megjithëse në atë kohë interesim shfaqi edhe Arsenali.
Në fund, anësori “ndoqi ëndrrat e tij” dhe kërkoi ekskluzivisht një transferim te Barcelona, që përfundimisht u realizua.
Ndonëse luajti një sezon të mirë në fanellën e klubit katalanas, me të cilin fitoi edhe titullin kampion spanjoll, Raphinha nuk i përmbushi plotësisht pritshmëritë e mëdha të tifozëve dhe drejtuesve të Barcelonës.
Ai arriti të shënojë 10 gola në 50 paraqitje, një numër jo i kënaqshëm për një sulmues anësor që luan në një klub si Barcelona.
Edhe pse u lidh edhe një herë me Arsenalin, Raphinha mund të vazhdojë karrierën në radhët e Manchester Cityt, pasi të largohet zyrtarisht algjeriani Riyad Mahrez në ditët në vijim.
Pas portierit Edouard Mendy nga Chelsea dhe Roberto Firmino nga Liverpool, Mahrez do të bëhet lojtari i ri i Al-Ahli.
Mahrez duhet të fitojë 50 milionë euro në klubin e ri për dy vite bashkëpunim.
Në anën tjetër vlera e Raphinhas aktualisht vlerësohet në 60 milionë euro dhe është e sigurt që Manchester City duhet t'i paguajë Barcelonës diçka të ngjashme, shumë që Barcelona mund ta pranojë pasi ka nevojë për shitjen e lojtarëve. /Telegrafi/


