Magyar: BE duhet të vendosë nëse dëshiron vetëm të mbijetojë apo të fitojë
Kryeministri hungarez Péter Magyar ka kritikuar ashpër mungesën e lidershipit politik në Bashkimin Evropian, duke thënë se Brukseli duhet të marrë vendime të guximshme për të ardhmen e Unionit dhe të kalojë nga menaxhimi i krizave në një strategji që synon konkurrueshmërinë dhe fuqinë globale.
Magyar i bëri komentet në Forumin Strategjik të Bledit, në një panel ku morën pjesë edhe kryeministri slloven Janez Janša, kryeministri kroat Andrej Plenkoviq dhe kryeministri çek Andrej Babish, ku diskutuan bashkëpunimin rajonal dhe konkurrueshmërinë e Evropës.
“Ka mungesë të lidershipit politik, për të qenë të sinqertë, në Bashkimin Evropian”, deklaroi Magyar, duke kritikuar atë që e konsideroi si burokraci të tepruar në institucionet evropiane.
Sipas tij, burokracia në Bruksel po pengon nismat e reja dhe po e largon BE-në nga problemet reale me të cilat përballet kontinenti, transmeton Telegrafi.
“Duhet të përqendrohemi përsëri te realiteti”, tha ai, duke treguar si shembull konkurrencën ekonomike me Kinën.
Magyar paralajmëroi se ndërsa Evropa është e përqendruar në çështje institucionale dhe procedura burokratike, Kina po përgatitet të investojë në projekte strategjike në Evropë, përfshirë centrale bërthamore dhe fabrika automobilistike.
“Ekziston tashmë një ndjenjë edhe në Bruksel se duhet të ndryshojmë. Sipas mendimit tim, duhet të vendosim nëse Bashkimi Evropian dëshiron vetëm të mbijetojë apo të fitojë”, u shpreh kryeministri hungarez.
Magyar kritikoi gjithashtu mënyrën se si BE-ja po e trajton Hungarinë për çështjen e migracionit, veçanërisht gjobat që Budapesti është urdhëruar të paguajë pas moszbatimit të një vendimi të Gjykatës së Drejtësisë së BE-së.
Në vitin 2024, gjykata vendosi një gjobë prej 200 milionë eurosh, e shoqëruar me një penalitet ditor prej 1 milion eurosh, pasi Hungaria nuk kishte zbatuar një vendim të mëparshëm lidhur me të drejtat e azilkërkuesve.
“Është mjaft e vështirë t’u shpjegosh hungarezëve pse Hungaria trajtohet kaq padrejtësisht në Bruksel për këto çështje”, tha Magyar.
Ai argumentoi se Budapesti po paguan miliona euro për politikat e tij kufitare, duke i paraqitur ato si një përpjekje për mbrojtjen e kufijve të përbashkët evropianë.
Qeveria e Viktor Orbánit kishte ndërtuar një gardh në kufirin me Serbinë për të frenuar hyrjen e migrantëve, ndërsa procedurat për azil ishin kufizuar ndjeshëm. Për shkak të shkeljeve të konstatuara nga institucionet evropiane, Hungaria është përballur me gjoba që, sipas raportimeve, arrijnë në afro 1 miliard euro.
Magyar, i cili i përket së njëjtës familje politike evropiane të qendrës së djathtë, Partisë Popullore Evropiane, si presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë fushatës elektorale kishte premtuar një riorientim të marrëdhënieve të Hungarisë me aleatët e saj perëndimorë në BE dhe NATO.
Pas formimit të qeverisë, Budapesti arriti një marrëveshje me Komisionin Evropian për zhbllokimin e 16.4 miliardë eurove në fonde të ngrira më parë.
Qeveria hungareze njoftoi gjithashtu se kishte përmbushur të gjitha kushtet e lidhura me fondin e rimëkëmbjes prej 10 miliardë eurosh, përmes ndryshimeve në legjislacionin kundër korrupsionit dhe në sistemin e drejtësisë.
Megjithatë, deklaratat e Magyar në Bled tregojnë se marrëdhënia mes Budapestit dhe Brukselit mbetet e ndërlikuar.
Kryeministri i ri hungarez po kërkon një Evropë më pak të përqendruar te burokracia dhe më të aftë për të konkurruar ekonomikisht dhe gjeopolitikisht me fuqitë e mëdha globale. /Telegrafi/


