Luajtën në vend të Rrahmanit dhe Avdullahut, si e shpërblyen me gola besimin e Fodës dyshja e Kosovës
Kombëtarja e Kosovës ka arritur një fitore tejet të rëndësishme në udhëtim, duke triumfuar ndaj Sllovakisë me rezultatin spektakolar 3-4, në një përballje që dhuroi emocione të shumta dhe ritëm të lartë nga fillimi deri në fund.
Ndeshja u karakterizua nga intensitet i madh dhe lojë e hapur nga të dyja skuadrat, me kthesa të vazhdueshme në rezultat.
Kombëtarja e Kosovës tregoi karakter, vendosmëri dhe efikasitet në momentet kyçe, duke arritur të dalë fituese nga një sfidë e vështirë në udhëtim.
Në këtë përballje, vëmendje të veçantë mori besimi i trajnerit Franco Foda ndaj dy lojtarëve që u aktivizuan në mungesë të titullarëve.
Kreshnik Hajrizi zuri vendin e kapitenit Amir Rrahmani, i cili mungoi për shkak të lëndimit, ndërsa Veldin Hoxha u aktivizua në vend të Leon Avdullahut.
Të dy futbollistët e shpërblyen maksimalisht këtë besim, duke lënë gjurmë në rezultat me gola të rëndësishëm.
Hajrizi dhe Hoxha jo vetëm që u përshtatën me përgjegjësinë e marrë, por edhe treguan pjekuri dhe vendosmëri në momentet vendimtare të ndeshjes.
Përveç tyre, në listën e golashënuesve u regjistruan edhe Fisnik Asllani dhe Florent Muslija, duke vulosur një fitore të madhe për Kosovën.
Vendimi i trajnerit Franco Foda për t’u besuar nga minuta e parë Kreshnik Hajrizit dhe Veldin Hoxhës nuk kaloi pa kritika para ndeshjes, pasi shumëkush priste që mungesat e Amir Rrahmanit dhe Leon Avdullahut të zëvendësoheshin me alternativa më me përvojë.
Megjithatë, vendimi i Fodës rezultoi i qëlluar, pasi të dy lojtarët jo vetëm që përballuan presionin, por edhe u bënë protagonistë duke kontribuar me gola në këtë fitore të madhe të Kosovës.
Pas paraqitjeve pozitive, Hajrizi u notua me 6.9 nga Sofascore, ndërsa Veldin Hoxha mori notën 7.0.
Kjo paraqitje konfirmon thellësinë dhe cilësinë në skuadër, si dhe aftësinë e lojtarëve për të marrë përgjegjësi kur u jepet mundësia, një sinjal shumë pozitiv për vazhdimësinë e Kombëtares.
Hajrizi dhe Hoxha priten të jenë titullar edhe në ndeshjen finale të playoff-it për Botërorin 2026 ndaj Turqisë e cila do të zhvillohet në ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë nga ora 20:45. /Telegrafi/


