Please enter at least 3 characters.

Lojtarët flasin pas ndeshjes

2016/01/lojtar-euml-t-flasin-pas-ndeshjes_hd.jpg

Përfaqësuesja e Kosovës e shkroi historinë të mërkurën, me zhvillimin e ndeshjes së parë miqësore pasi e mori lejen zyrtare nga FIFA. Ekipi i Albert Bunjakit e gostiti në Përfaqësuesen e Haitit në stadiumin ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë, ku u zhvillua një lojë mjaft ritmike, në një atmosferë fantastike, të krijuar nga tifozët ‘Dardanët’.

Përkundër disa rasteve që i pati skuadra kosovare, rrjetat mbetën të paprekura. Pas ndeshjes, futbollistët i dhanë mendimet e tyre rreth këtij dueli historik, i cili sigurisht se do të mbetet përjetësisht në kujtimet e tyre.

Ujkani: Ishte thjeshtë fantastike

Samir Ujkani e la Kombëtaren shqiptare për t’iu bashkuar Përfaqësueses së Kosovës në miqësoren historike ndaj Haitit. Portieri kosovar e shijoi çdo sekondë të lojës, edhe pse nuk pati fort punë, pasi mysafirët nuk rrezikuan kush e di sa seriozisht. “E falënderoj presidentin e Federatës të Futbollit të Shqipërisë, Armando Duka, që e ka kuptuar shumë mirë situatën dhe që ma dha këtë shans. Jam i kënaqur që mu dha mundësia të mbroj për Kosovën. Ka qenë diçka fantastike. I falënderoj krejt tifozët që kanë qenë këtu në stadium, ka qenë shumë bukur”, ka thënë portieri i Palermos pas ndeshjes.

“Ende nuk munda ta kuptoj emocionin e brendshëm, por jam shumë i kënaqur. I falënderoj edhe krejt lojtarët që kanë luajtur. Nuk ka qenë e lehtë ta luanim një ndeshje aq shpejtë, pasi ne e kishim vetëm një stërvitje së bashku”, vazhdoi Ujkani, i cili më pas shkoi për t’i përkrahur nga televizori shokët e tij të Kombëtares shqiptare. Sa i përket së ardhmes, ai tregon se do të bisedojë me Presidentin e FSHF-së, Armand Duka, nëse do të jetë ende pjesë e Kombëtares shqiptare.

E merituam fitoren

Loret Sadiku ishte njëri prej lojtarëve më të mirë të ndeshjes. Qendërmbrojtësi i Helsingborgut shfaqi siguri në mbrojtje, duke qenë i pagabueshëm. Edhe për të, ta përfaqësonte Kosovën ishte një ndjenjë unike. Njëjtë si Ujkani, edhe ai është i pavendosur nëse në të ardhmen do t’i mbrojë ngjyrat e Shqipërisë apo Kosovës.

“Kemi luajtur shumë mirë, por nuk patëm fat ta fitonim ndeshjen, edhe pse e merituam. Ka qenë emocion i mirë. Krejt familja ishte këtu dhe ka shkuar shumë mirë”, deklaroi ai.

“Atmosfera ishte e shkëlqyeshme, e shijova. Nuk e di nëse do të luaj për Kosovën apo Shqipërinë në të ardhmen. Do të konsultohem me familjen dhe do të vendosim bashkërisht”, thotë Sadiku, për të cilin e interesuar ishte edhe Përfaqësuesja e Suedisë.

Azemi: Na mungoi vetëm goli

Ilir Azemi u tregua mjaft i rrezikshëm për portën haitiane. Sulmuesi kosovar pati raste për gol, por punoi edhe për shokët, edhe pse në fund, Përfaqësuesja e Kosovës u desh të kënaqej me një barazim, në ndeshjen që e dominoi ndaj Haitit, edhe pse rezultati nuk ishte absolutisht në rend të parë, duke e ditur rëndësinë e ndeshjes historike të ekipit të Albert Bunjakit. “Me lojën jam shumë i kënaqur, pasi kemi pasur vetëm një stërvitje. Nuk i kam njohur ku dhe si luajnë bashkëlojtarët, na ka munguar vetëm goli. Ka qenë emocionuese për mua që ishte i mbushur stadiumi. Më është dridhur krejt trupi. Si sot që përjetova emocione, nuk kam përjetuar asnjëherë. Mendoj se do të shkojmë shumë larg me këtë ekip. Kemi ekip kualitativ dhe jam i bindur që do të arrijmë shumë”, u shpreh sulmuesi i Greuther Furthit.

Hasani e Kastrati: Atmosfera e shkëlqyeshme

Shpëtim Hasani ishte padyshim lojtari më i rrezikshëm për skuadrën mysafire. Ai iu afrua golit, por fatkeqësisht nuk ia doli ta qonte atë në rrjetë. “Ishte një ndeshje e mirë dhe atmosfera e shkëlqyeshme po ashtu. Do të doja të festonim me një gol. Loja ishte në nivel të lartë”, tha sulmuesi i Orebros.

Flamur Kastratit iu dha rasti të luante në pjesën e dytë. Sulmuesi i Stromsgodset u mundua ta bënte atë që nuk mundën ta bënin bashkëlojtarët në pjesën e parë, por nuk ia doli as ai. E për këtë, ai ia lë fajin fushës. “E kemi treguar një lojë të mirë. Fusha nuk na ka lejuar të luanim ashtu siç dëshironim, me pasime të shkurtra, por besoj se pasi ishte hera e parë, kemi luajtur mirë dhe jam shumë krenar që luajta këtu”, pohoi ish futbollisti i Twentes.

Sahiti: I kaluam parashikimet

Muharrem Sahiti, ndihmës i përzgjedhësit Albert Bunjaki, ka mbetur jashtëzakonisht i kënaqur me ato që pa në ndeshjen e djeshme në Mitrovicë. Trajneri gjilanas është i bindur se Përfaqësuesen e Kosovës e pret një e ardhme e ndritshme, pasi shenjat e para i dha qysh në duelin e parë. “Ishte gjithçka OK, i kaluam të gjitha parashikimet. Luajtëm për herë të parë dhe e demonstruam se kemi potencial. Me punë, ne mund të zhvillohemi dhe të arrijmë shumë”, theksoi pas lojës Sahiti, njëherësh trajner i Gjilanit.

“E kishim përballë një kundërshtar jo të lehtë, i cili dëshmoi se është mjaft i përgatitur fizikisht. Por, me rëndësi është që i kemi kënaqur tifozët dhe e dhamë një sinjal të mirë. E vërtetuam se e meritojmë të pranohemi sa më shpejtë në FIFA e UEFA”, vijoi ai.

Sido që të jetë, Kosova e kaloi me sukses testin e parë serioz, si me lojë, ashtu edhe me organizim. Shpresojmë që edhe në muajin maj, FFK ta sigurojë një kundërshtar kualitativ për Përfaqësuesen e Kosovës, për t’i kënaqur sërish simpatizuesit e etur dhe të flaktë kosovarë.

Kosova i la pa fjalë haitianët

Përfaqësuesja e Haitit ka mbetur pa fjalë me pritjen që iu bë në Kosovë. Mysafirët e Përfaqësueses së Kosovës u pritën si heronj në Mitrovicë, ndërsa u ndien krenarë që u bënë pjesë e historisë së futbollit kosovar, duke e nderuar atë në miqësoren e parë, pas lejes që ia dha FIFA.
“Jam i befasuar për të mirë, ishte një atmosferë e jashtëzakonshme. Kosova bëri një lojë mjaft të mirë, ky ekip ka lojtarë kualitativë. Është hera e parë që ekipi ynë u duartrokit dhe u prit aq mirë nga një ekip kundërshtar”, tha Fabien Forbe, futbollist i Haitit.

“Jemi të nderuar që u bëmë edhe ne pjesë e historisë së futbollit kosovar. Ne ju presim që në të ardhmen ta zhvillojmë një ndeshje tek ne, ndërmjet Haitit dhe Kosovës”, përfundoi ai. /SportPlus/Telegrafi/