Lladrovci: Drenasi është i diskriminuar me mungesë të ujit, do t’u drejtohemi organeve të drejtësisë
Komuna e Drenasit ka njoftuar se Kuvendi i Komunës ka mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme, të thirrur nga kryetari Ramiz Lladrovci, e cila i është kushtuar gjendjes së furnizimit me ujë të pijshëm në këtë komunë.
Gjatë mbledhjes, Lladrovci tha se situata me furnizimin me ujë është rënduar dhe se qytetarët e Drenasit po përballen vazhdimisht me ndërprerje të ujit.
“Kjo mbledhje nuk ka motive politike. Nuk ka qëllim të atakojë nivelin qendror as rajonin e Prishtinës. Kjo seancë është e ftuar për të dëshmuar gjendjen e rëndë të qytetarëve të Drenasit”, deklaroi ai.
Lladrovci tha se Komuna ka treguar mirëkuptim për vështirësitë dhe defektet e KRU “Prishtina”, por sipas tij, situata tashmë ka kaluar çdo kufi të tolerueshëm.
“Po, uji është jetë. Drenasi nuk ka ujë. Drenasi nuk meriton këtë trajtim. Ka kohë që sfida e ujit jo vetëm nuk po zgjidhet, ka kohë që kur një reshje shiu sado e vogël, ndërpritet uji me ditë të tëra për të gjithë qytetarët. Në shekullin 21 Drenasi, po e bart sfidën e mungesës së ujit. Kjo gjendje është e padurueshme”, tha kryetari i Drenasit.
Sipas tij, gjatë tri viteve të fundit Komuna ka investuar rreth 3 milionë euro në gypat primarë dhe sekondarë të ujësjellësit, ndërsa janë realizuar edhe mbi 3 mijë kyçje të ekonomive familjare në rrjetin e ujit të pijshëm.
Ai shtoi se Komuna ka investuar edhe në stacione të pompimit dhe kapacitete alternative për furnizim me ujë.
Lladrovci kërkoi nga KRU “Prishtina” dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor që çështjen e furnizimit me ujë në Drenas ta trajtojnë me prioritet.
“Drenasi është i diskriminuar me mungesë të ujit. Qytetarët e Drenasit, po i bartin pasojat. Mirëqenia e qytetarit është e lidhur ngushtë me furnizimin me ujë. Furnizimi nuk po ndodh, s’po bëhet, s’po kryhet”, u shpreh ai.
Kryetari paralajmëroi gjithashtu se Komuna do t’u drejtohet organeve të drejtësisë për, siç tha, mosveprim dhe moskryerje të përgjegjësive lidhur me furnizimin me ujë, duke kërkuar veprim të menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse.
“Drenasi nuk e meriton këtë qasje, Drenasi nuk e meriton të ketë diskriminim për çështjen më elementare jetësore, ujin e pijes”, deklaroi Lladrovci.
Në mbledhje, edhe asambleistët e Kuvendit të Komunës shprehën shqetësimin e tyre për mungesën e vazhdueshme të ujit të pijshëm dhe pasojat për qytetarët.
Ata kërkuan nga institucionet dhe ndërmarrjet përgjegjëse që të ndërmarrin masa të menjëhershme dhe konkrete për sigurimin e furnizimit të rregullt me ujë.
Në fund, Lladrovci përsëriti kërkesën për zgjidhje urgjente të problemit, duke thënë se qytetarët e Drenasit kanë një kërkesë të qartë.
“Duam ujë për qytetarët e Komunës së Drenasit”, tha ai. /Telegrafi/


