Liverpooli zyrtarizon goditjen e madhe, Barcola transferohet nga PSG për 124 milionë euro
Liverpooli ka kompletuar transferimin e sulmuesit anësor francez Bradley Barcola nga Paris Saint-Germain, në një marrëveshje që raportohet të ketë vlerën e rreth 124 milionë eurove.
Futbollisti 23-vjeçar pritet të jetë një nga përforcimet kryesore të Liverpoolit këtë verë, teksa “Reds” kanë nisur sezonin e ri në Ligën Premier me dy barazime në dy ndeshjet e para.
Barcola shihet si një lojtar i rëndësishëm për të mbushur boshllëkun e krijuar pas largimit të Mohamed Salah në fund të sezonit të kaluar.
Francezi i ka kaluar me sukses testet mjekësore gjatë fundjavës dhe tashmë pritet të marrë një rol të rëndësishëm në krahun e majtë të sulmit.
23-vjeçari iu bashkua PSG-së në vitin 2023 nga Lyoni, pasi ishte zhvilluar në akademinë e klubit francez. Gjatë aventurës së tij në Paris, Barcola realizoi 39 gola në 152 paraqitje, duke u shndërruar në një prej futbollistëve më të rëndësishëm të skuadrës.
PSG fillimisht kishte refuzuar një ofertë prej rreth 105 milionë eurosh nga Liverpooli në fillim të këtij muaji. Negociatat vazhduan për disa javë, ndërsa raportimet sugjeronin se kampionët e Francës kërkonin deri në 169 milionë euro për ta lënë të lirë yllin francez.
Megjithatë, afrimet e Maghnes Akliouche dhe Mika Godts gjatë kësaj vere mund të kenë ndikuar në pozitën e Barcolës në hierarkinë e PSG-së, duke e bërë më të lehtë largimin e tij.
Në Liverpool, Barcola pritet të aktivizohet në krahun e majtë të sulmit. Aty gjatë 12 muajve të fundit ka qenë titullar i rregullt Cody Gakpo, veçanërisht pas largimit të Luis Diaz drejt Bayern Munichut.
Megjithatë, edhe e ardhmja e Gakpos në “Anfield” është në pikëpyetje. Sulmuesi holandez është lidhur fuqishëm me një transferim te Manchester City, çka do t'i hapte Barcolës rrugën drejt një roli edhe më të rëndësishëm në formacionin e Arne Slotit.
Me PSG-në, Barcola ka fituar dy tituj të Ligës së Kampionëve, tri herë kampionatin francez dhe dy Kupa të Francës, krahas trofeve të tjera.
Barcola ka firmosur një kontratë pesëvjeçare me Liverpoolin dhe do ta mbajë fanellën me numrin 29. /Telegrafi/


