Please enter at least 3 characters.

Liri individuale, jo pa përgjegjësi sociale

Ilustrim

Nga: Gëzim Tushi

Shoqëria shqiptare po kalon momente të ndërlikuara kur në mënyrë evidente përballet me një konfuzion fizik dhe metafizik, që shfaqet dukshëm në paqartësitë dhe konceptet e ndërlikuara të raporteve objektive e subjektive midis lirisë së individit dhe antinomive që po shoqërojnë zbehjen e përgjegjësive në jetën e përbashkët sociale.

Pikërisht nga konceptimi semplist dhe subjektivist i këtij relacioni fondamental, me vlerë të padiskutueshme ekzistenciale. Mbase kjo situatë ka shkaqet e veta dhe arsyet e veçanta, që duhen trajtuar dhe interpretuar sociologjikisht. Jo si qëllim në vetvete, por për të diagnostikuar këtë situatë, e cila sipas mendimit tim, më së pari dhe mbi të gjitha është e lidhur në mënyrë të determinuar me specifikat e tranzicionit tonë dhe me arsye të tjera komplekse e sintetike, me natyrë kontekstuale, lidhur me faktorë historikë, kulturorë, socialë dhe ekonomikë.

Mbase të gjithë këta faktorë të marrë së bashku janë argumente të mjaftueshme për të pranuar se në mënyrë evidente në jetën e sotme, në strukturën e shoqërisë shqiptare, po shfaqet një gjendje e përgjithshme e trazuar e jetës sociale, e cila ka krijuar precedentë, por edhe situata reale disi kaotike, turbulente, shoqëruar me doza të theksuara të paqartësive konceptuale, që reflektohen në mënyrë adekuate në modelet e sjelljes empirike individuale, por edhe në strukturat e gjëra të organizimeve të jetës së përbashkët sociale e komunitare.

Padyshim, trajektorja historike, mënyra unike e kalimit të shoqërisë shqiptare nga totalitarizmi në demokraci dhe e individit në liri, u shoqërua me deformime me peshë sociale, për konceptimin dhe ndërtimin e drejtë të raporteve të reja e dinamike, midis lirisë së individit, sovranitetit civil, jetës private nga njëra anë dhe nevojës së pranimit dhe respektimit të një mase të moderuar të vlerave të përbashkëta, si kushte të funksionimit kompakt të shoqërisë, humanizimit të raporteve të individit të lirë me jetën e përbashkët sociale.

Por, këto ndryshime e transformime nuk ecën në rrugën e duhur, me durim social dhe gradualitet transformues në procesin e transformimit të hallkave të këtij raporti ekzistencialisht themelor e strukturalisht thelbësor, i cili papritur pësoi një përmbysje kaotike në kuptimin material e fizik, por edhe konceptual, ideologjik e metafizik, duke sjellë probleme e anomali, të cilat aktualisht shfaqen si plagë sociale të agravuara. Njerëzit tanë të mërzitur nga “kafazi” gjysmëshekullor totalitarist, në jetën me mungesë absolute të lirisë individuale dhe e mbingarkuar me peshën e koncepteve dhe praktikave hipersociale e superkolektiviste, të nxitur nga shpresa e padurimi për të rindërtuar një shoqëri të lirë e demokratike, ata u joshën nga etiketa e jashtme e lirisë, nga ideja fillestare e konceptit semplist të njeriut të lirë, si njeri i vetëmjaftueshëm, asocial, i shkëputur nga shoqëria dhe pa vlerësuar dhe respektuar konvencionet sociale e morale të jetës së lirë demokratike. Qëndrime që sollën si pasojë, nga njëra anë liri dhe autonomi më të madhe morale dhe pavarësi shpirtërore, por në të njëjtën kohë, kjo e shoqëruar me rrënimin e akseleruar dhe prishjen e menjëhershme të relacioneve sociale me shoqërinë, një izolim prej normave të reja të saj.

Në kohën e sotme është e qartë se ka një prirje të njëanshme në sjelljen e njeriut, që frymëzohet dhe orientohet nga filozofia që ushqen ndjenja dhe mendime tërësisht individualiste, që kanë ndikimin në dobësimin e vlerave të shoqërisë funksionuese dhe të mirë rregulluar si duhet. Duke e vlerësuar këtë moment delikat të shoqërisë moderne, këtë defekt apo këtë rrezik që vjen nga moderniteti social, lideri klasik i liberalizmit modern John Rawls, mendon se, “nuk duhet të ketë asnjë arsye të momentit pse qëllimet e njerëzve në një shoqëri të mirërregulluar duhet të jenë në pjesën më të madhe individualiste”. (M. Sandel, Liberalizmi dhe kufijtë e drejtësisë, f. 102)

Pikërisht kjo njëanshmëri e konceptimit teorik e filozofik nga njëra anë dhe sjelljet arriviste në anën tjetër, janë faktorë pse është kaq në zgjerim sasia e veprimeve abuzive, qëndrimeve anormale e sjelljeve destruktive, shoqëruar me akte brutalisht të dhunshme e kriminale, të cilat në thelb janë tregues të qartë të ardhjes në shoqërinë shqiptare të njeriut që mendon për vete, pa llogaritur të tjerët, pa përfillur nevojën e përshtatjes me sistemin e vlerave dhe determinantët e habitatit të përbashkët social.

Janë shtuar njerëzit në shoqërinë tonë që synojnë, luftojnë dhe e ndërtojnë jetën të bazuar vetëm në dëshirat e mundura, të pamundura apo të pafshehura të unin e tyre të “kulluar” (Jasques Lacan), apo që atë e mbushin vetëm me sjellje agresive e anomali antisociale, sjellje e pasione sociopatike të pakontrolluara, fenomene në zgjerim patologjik, që po tentojnë për t’u bërë shtresë sociale evidente, fenomen social tejet shqetësues e bezdisës për shoqërinë tonë. Për pasojë, jeta jonë e përditshme, gjithnjë e më shumë po përballet ekzistencialisht ashpër me njerëz që në emër të “lirisë së pakufizuar” dhe pavarësisë së imagjinuar nga ligjet dhe rregullat e përbashkëta të shoqërisë, shfaqen me devijime të rrezikshme e sjellje kriminale, mungesë të vetëpërmbajtjes në raportet e tyre me jetën urbane, duke neglizhuar nevojën e shfaqjes së domosdoshme të pjekurisë qytetare dhe racionalitetit human.

Bashkuar këto devijanca edhe me anomali të njerëzve që jetojnë në terrene me frymëzime utopike, pritshmëri sociale të tepërta e jo realiste, shoqëruar me përdorimin e zgjeruar të përdorimit të lëndëve psikotrope. Të gjitha këto sjellje individuale, dukuri sociale e pamje të përditshme të jetës urbane i kanë detyruar sociologët të flasin për ekzistencën e “epokës së hipermodernitetit”, e cila po dëmtohet nga koncepti i hipertrofizuar i lirisë individuale, e cila në shumë aspekte shfaqet e shëmtuar”. Është realitet i padyshimtë që pjesa e shëndoshë e shoqërisë shqiptare po përballet në mënyrën më të ashpër të mundshme me pjesën e njerëzve që shpërdorojnë lirinë sociale, që kanë ulur në kuota kritike reduktimin, madje asgjësimin e përgjegjësisë sociale e personale si qytetarë.

Këta janë përgjithësisht indiferentë ndaj çështjeve publike dhe problemeve jetësore, kanë prirje për të qenë të “atomizuar”, izoluar ndaj çështjeve sociale, duke mbivlerësuar vetëm aspektet që kanë lidhje me sjelljet e tyre individualiste, egoiste e synimet konkurenciale. Ata e kanë lirinë si aset për të shfaqur prirje të individualizmit, si raport i thjeshtë i “vetes me veten” pa pasur lidhje, pa respektuar rregullat, normat, vlerat që ndërtojnë personalitetin e tyre dhe garantojnë shfaqjen e përgjegjësisë qytetare. Ky lloj procesi i “denatyrimit të lirisë” prej kësaj shtrese shoqërore bezdisëse dhe shqetësuese, po sjell efekte degraduese për shëndetin e shoqërisë shqiptare në tërësi. Personalisht mendoj se jemi në një situatë, që duhet vlerësuar integralisht, sociologjikisht dhe në trajtë empirike situata për të parë, kuptuar dhe interpretuar drejt gjendjen gjithnjë e më shumë kaotike, që ka sjellë ngatërrim konceptual dhe real të raporteve midis autonomisë dhe integritetit vetjak të njeriut si liri, me përgjegjësinë e sjelljes individuale në shoqëri.

Ndoshta ky ekuacion ekzistencial ka mundësi të ecë në rrugën e degradimit dhe afunksionalitetit, nëse nuk fillojmë të kultivojmë në familje, shkollë, shoqëri civile dhe gjithë institucionet e sigurisë morale dhe kulturës qytetare, frymën pozitive dhe të ekuilibruar, për të ndërmarrë një “aksion kombëtar” për të rregulluar raportet e sjelljes midis koncepsioneve morale detyruese dhe lirisë subjektive, objektivave personale utilitariste dhe relacioneve sociale dobiprurëse të jetës së individit. Nuk besoj se pesimizmi, dëshpërimi për situatat që kalojmë janë rruga e duhur për të rregulluar këtë ekuacion ekzistencial dhe garantues në rindërtimin e raporteve të drejta, midis qytetarit dhe shoqërisë.

Është e vërtetë që ka tri dekada e gjysmë që në qendër të shoqërisë është vendosur njeriu utilitarist dhe indiferent ndaj “tjetrit”, që lufton vetëm për vete dhe dobinë personale. Jetojmë në një shoqëri liberale, pragmatiste e individualiste, e cila ka vendosur në që ndër të saj individin si të tillë. Por kjo nuk do të thotë dhe nuk është e vërtetë, që shoqëria e sotme shqiptare është tërësisht neutrale, indiferente, adiaforiste dhe e mpirë moralisht. Apo të mendosh se në ekzistencën e saj morale e sociale, nuk ka dhe nuk ekzistojnë “pikëmbështetje” për të rregulluar këtë raport, për të shmangur keqkuptimet e njëanshme e subjektiviste, konfliktet e panatyrshme e artificiale që ndikojnë në shpërbërjen e lidhjes sociale individ-shoqëri.

Duke arsyetuar mbi bazën e dukurive sociale, nuk është deri në fund e qartë, nëse vetëm liria dhe individualizmi si “entitete”, janë kusht për ndërtimin e shoqërisë modern, apo është vetë natyra e shoqërisë moderne që ka si produkt integral tipik individualizimin e jetës, indiferencën, narcizismin, cinizmin egocentrik, si tipare esenciale e me peshë sociale në strukturën dhe fenomenologjinë e sjelljes të njeriut.

Por, pavarësisht nevojës së debatit teorik sociologjik e akademik, një gjë është e vërtetë dhe evidente në realitetin tonë social. Të gjithë e ndjejmë se duke vlerësuar “dialektikën e përmbysur” radikalisht të raportit midis lirisë sociale dhe përgjegjësisë individuale, ne praktikisht ndodhemi përballë realitetit të një shoqërie që nuk është e “rregulluar mirë”, për shkak se në emër të superioritetit të lirisë së njeriun dhe në shërbim të anomalive eksentrike, ajo duket sikur punon dhe nxit tendencën e pakontrolluar personaliste, që në emër të lirisë i mban njerëzit të ndarë, të veçuar, pa lidhje sociale me njëri-tjetrin. Është anomali humane që buron nga konceptimi i deformuar i lirisë personale, duke u nisur nga perceptimi i ngushtë i kornizës së lirisë së pakufizuar të “jetës private”, që e mëson, madje e “detyron” njeriun të jetojë i “mbyllur brenda vetes”, pa pasur lidhje dhe relacione të domosdoshme sociale.

Është e vërtetë se demokracia liberale është e lidhur fort me idealin e lirisë si vetëvendosje sovrane e individit. Por kjo duhet kuptuar drejt, sepse “ ... demokracia liberale privilegjon autonominë individuale apo private, pra vetëvendosjen individuale”, ... në mënyrë që “çdo subjekt të jetë i lirë për të bërë jetën e tij ashtu siç i duket më mirë dhe shteti ndërhyn për të zgjidhur konfliktet kur liria e dikujt kërcënon lirinë e dikujt tjetër”. (James Gordon Finlayson f. 147-148)

Ndaj është imperative, detyrim që e sjell koha që jetojmë, natyra dhe tipologjia e shoqërisë ku bëjmë pjesë, që ta kthejmë në mision humanizmin e raporteve të lirisë së individit me rregullat, nevojat e përbashkëta të shoqërisë. Sepse në fund të fundit, duhet pranuar e vërteta e idesë së filozofit Jurgen Habermas, sipas të cilit, “Askush nuk është i lirë, po nuk qemë të gjithë të lirë”. (J.G. Finlaynson f. 161)