LINDJA E DASHURISË
Poezi nga: Vicente Aleixandre
Përktheu: Anton Papleka
Si lindi dashuria? Kishte hyrë vjeshta.
Përderisa bota ishte në stinën kur gjithçka është pjekur,
unë nuk të prisja më. Ti erdhe gjithë gaz,
duke rrëshqitur mbi butësinë e kohës,
e praruar si ajri. Dhe unë të shikoja. Sa e bukur m’u duke,
buzagaz e tërë gjallëri,
kundruall hënës kërthinjë, lindur para kohe në mbrëmje,
pa dritë, e hirshme në ajrin e praruar, si ti
që erdhe përmes kaltërisë, pa një puthje,
por me ata dhëmbë borë të bardhë, dashuri e papërmbajtshme!
Unë të shikoja. Nën velat e tij të gjata,
hidhërimi kruspullosej atje tej
si një muzg i dendur që mbledh valët e tij.
Një shi i imët – ç’qiell i kaltër! – ta vesonte
ballin e ri. I dashuruar, i dashuruar ishte
fati i dritës! Kaq e praruar më dukeshe,
sa diejt mezi do të kishin guxim të ngulmonin
të ndizeshin për ty, mbi ty, të të falnin prore
pasionin e tyre të ndritshëm, vallen e shtruar të diejve
që silleshin rreth teje, o yll i ëmbël, që silleshin
rreth një trupi pothuaj të tejdukshëm, fatlum,
që thith dritat e rituara e të mbrame të mbrëmjes,
dhe ende i mëngjestë, përhap agsholet e tij.
Ishe ti, dashuri, fat, dashuri e mbrame dhe e ndritshme,
ndoshta lindja e parafundit në rrugën e vdekjes.
Por jo. Ti më dole përpara. Vallë, ishe zog, trup,
apo vetëm shpirt? Ah, mishi yt i nartë
që e puthja si dy flatra të ngrohta,
si ajrin që ngre peshë një kraharor, kur merr frymë.
Befas, dallova fjalët e tua, parfumin tënd
Dhe në shpirtin e thellë që sheh larg,
Ti u ndale. I përshkuar nga ti deri në palcën e dritës,
Ndjeva një pikëllim: Dashuria
është e pikëlluar.
Në shpirtin tim po agonte. Ndritja
prej teje, tek unë ishte shpirti yt.
Në trup, në gojë, ndjeva shijen e agsholit.
Sytë e mi shprehën të vërtetën e tyre të praruar.
Ndjeva zogjtë
tek më çurlikonin në ballë, duke ma mbushur zemrën
me një zhurmë shungulluese. Aty brenda vështrova
degët, luginat me diell, flatrat e ndërkëmbyeshme,
dhe një fluturim pendësh shumëngjyrëshe, çastesh vezulluese
më dehu, ndërsa tërë qenia ime e shkundulluar, e dalldisur,
e përflakur, ngjitej në zenitin e saj
dhe gjaku im buçitës shpërthente në të qeshura
dashurie, drite, plotërie, shkume.


