Ligjëratë informuese në Drenas në kuadër të Javës së Ndërgjegjësimit për Kancerin e Qafës së Mitrës
Komuna e Drenasit, në kuadër të Javës së Ndërgjegjësimit për Kancerin e Qafës së Mitrës dhe në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, do të organizojë një ligjëratë informuese dhe edukuese me qëllim të rritjes së vetëdijes për parandalimin, zbulimin e hershëm dhe kujdesin për shëndetin e gruas.
Ligjërata do të mbahet më 2 shkurt 2026, duke filluar nga ora 13:00, në sallën e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Drenas, kati i tretë. Ajo do të ligjërohet nga Dr. Afrodita Sejda.
Nga Komuna e Drenasit bëhet e ditur se kanceri i qafës së mitrës është një nga sëmundjet që mund të parandalohet dhe të trajtohet me sukses, nëse zbulohet në fazat e hershme.
Me këtë rast, ftohen të gjitha gratë dhe vajzat që të marrin pjesë në ligjëratë dhe të informohen për rëndësinë e kontrolleve të rregullta, përfshirë Pap testin dhe testimin për HPV, faktorët e rrezikut, vaksinimin, si dhe mënyrat e parandalimit dhe kujdesit për shëndetin.
Autoritetet komunale theksojnë se kujdesi për shëndetin e gruas mbetet prioritet dhe inkurajojnë pjesëmarrjen sa më të gjerë në këtë aktivitet ndërgjegjësues. /Telegrafi/


