Please enter at least 3 characters.

Lexus nuk shet vetëm vetura, tani ofron edhe fluturime me helikopter

Lexus po zgjeron aktivitetin përtej veturave luksoze, duke prezantuar “Lexus Flight”, një shërbim ekskluziv fluturimesh me helikopter në Japoni.

Shërbimi, i cili nis më 24 gusht në bashkëpunim me Aero Toyota, do të lidhë qytetet me destinacionet turistike dhe mund të kombinohet edhe me jahtin luksoz LY680, duke u ofruar klientëve një udhëtim të pandërprerë në tokë, det dhe ajër vetëm me produktet e Lexus.

Në qendër të këtij shërbimi është një helikopter i personalizuar, i bazuar në modelin italian Leonardo AW169.

Ai është i pajisur me dy motorë Pratt & Whitney Canada PW210A1, arrin një shpejtësi maksimale prej 267 km/h dhe ka një autonomi fluturimi deri në 785 kilometra.

Kabina luksoze mund të transportojë deri në shtatë pasagjerë dhe është frymëzuar nga dizajni i SUV-ve premium të Lexus.

Ajo ofron Wi-Fi, kamera të jashtme me transmetim në kohë reale, gjurmim të fluturimit dhe një tablet për kontrollin e ndriçimit, klimës dhe sistemit argëtues.

Për momentin, Lexus Flight do të jetë i disponueshëm vetëm në Japoni. Kompania nuk ka njoftuar ende plane për zgjerimin e shërbimit në tregje të tjera dhe as çmimet e fluturimeve. /Telegrafi/