Lëshohet në funksion ashensori për personat me aftësi të kufizuara në Komunën e Gjilanit
Në objektin e Drejtorisë së Administratës dhe Shërbimeve Publike në Komunën e Gjilanit është lëshuar në funksion ashensori i ri, i cili u dedikohet personave me aftësi të kufizuara, duke u mundësuar atyre qasje më të lehtë dhe më të sigurt në shërbimet komunale.
Krahas kësaj, për këtë kategori është funksionalizuar edhe një sportel i veçantë në Zyrën e Gjendjes Civile, për marrjen më të shpejtë të shërbimeve administrative, përcjell Telegrafi.
Ushtruesi i detyrës së shefit të Sektorit të Gjendjes Civile në Drejtorinë e Administratës, Fadil Ademi, tha se pas më shumë se 25 vjetësh, qytetarët e Gjilanit më në fund kanë kushte të përshtatshme për qasje në këtë objekt.
“Në qeverisjen e kryetarit Alban Hyseni kjo është bërë realitet. Me përkushtim për çdo qytetar, kemi mundësuar kushte më të mira edhe për personat me aftësi të kufizuara, të cilët tani përfitojnë nga ashensori i ri që siguron qasje të plotë në objekt”, deklaroi Ademi.
Ai shtoi se personat me aftësi të kufizuara tashmë marrin shërbime më shpejt e më lehtë në sportelin e veçantë të Gjendjes Civile, i cili është dedikuar posaçërisht për ta.
“Këto janë vepra konkrete që tregojnë kujdesin për çdo qytetar të komunës sonë. Vazhdojmë me punë e projekte që lehtësojnë jetën e njerëzve”, theksoi Ademi.
Po ashtu, në kuadër të përmirësimeve infrastrukturore në këtë drejtori, janë rinovuar dhe përshtatur edhe tualetet për personat me aftësi të kufizuara. /Telegrafi/


