LDK dorëzon kallëzim penal për Qeverinë Kurti: Çdo vendim i marrë pas 27 marsit është i paligjshëm
Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Alban Zogaj dhe Besian Mustafa, kanë dorëzuar sot në Prokurorinë Speciale edhe një kallëzim penal, duke iu bashkangjitur 17 të tjerave për kërkuar hetim për ish kryeministrin Kurti dhe ministrat e kabinetit të tij.
Sipas tyre, vazhdimi i punës se tyre si qeveri është jo kushtetuese dhe e jashtëligjshme, duke përmendur edhe vendimin e Gjykatës Supreme lidhur me çështjen e arkave fiskale, e cila dëshmon se një deputet nuk mund të kryej dy pozita.
Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa tha se Kurti me ministrat e tij kanë zaptuar qeverinë duke qëndruar në mënyrë te jashtëligjshme.
Sipas Mustafës, veprimi i tyre, i bie sikur 120 deputet të shkojnë në qeveri dhe të marrin vendime e të shfrytëzojnë buxhetin e shtetit.
“Aktgjykimin të Gjykatës Supreme kemi bashkangjitur në dosjen tonë, ku kemi dorëzuar para dy muajve në maj, 17 kallëzime penale për ish kryeministrin dhe ministrat të kabinetit të tij të cilët në mars nga KQZ-ja janë certifikuar si deputet të Kuvendit të Kosovës. Aktgjykimi i Gjykatës Supreme ka konfirmuar të njëjtën gjë që një deputet i certifikuar nuk mundet njëkohësisht të ushtroj dhe detyrën në ekzekutim. Ish kryeministri Kurti dhe ministrat që janë të certifikuar ai deputet kanë zaptuar qeverinë, kryeministrinë dhe ata vazhdojnë të qëndrojmë në mënyrë të jashtëligjshme. Kjo i bie që nga 27 marsi mundet secili deputet të shkoj në ministri dhe te ulet në kolltukun e ministrit dhe të nxjerr vendime dhe të shfrytëzojnë buxhetin e shtetit në mënyrë të jashtëligjshme”, tha Mustafa.
Ndërsa, deputeti Alban Zogaj shtoi se çdo vendim qeveritar pas certifikimit të zgjedhjeve është i paligjshëm.
Zogaj, tha se Prokuroria Speciale duhet të marrë masa ndaj tyre dhe në këtë mënyrë do të zhbllokohet situata politike.
"Sot e dorëzuam edhe një dokument shtesë për të kërkuar Prokurorisë Speciale, sepse çdo vendim që është marrë pas certifikimit të zgjedhjeve është vendim i jashtëligjshme. Qëndrimi i kryeministrit në detyrë dhe ministrave të tjerë në detyrë është e jashtëligjshme, ne duhet të marrim masa, Prokuroria duhet të veprojë dhe kjo duhet të jete sinjal që të zhbllokohet situata. Kemi dorëzuar kallëzime penale për te gjitha ministrat që mbajnë dy pozita", tha Zogaj.
LDK-ja ka dërguar edhe 17 kallëzime penale të tjera që nga muaji maj i këtij viti. /KP/


