Kushtetuesja i hap rrugë ndërtimit të Qendrës Rezidenciale për fëmijët me nevoja të veçanta në Kosovë
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka marrë vendim në favor të parcelës ku pritet të ndërtohet Qendra Rezidenciale për fëmijët me autizëm, sindromën Down dhe nevoja të veçanta, duke i hapur rrugë vazhdimit të projektit.
Lajmin e ka bërë të ditur humanisti Halil Kastrati, themelues i organizatës “Jetimat e Ballkanit”, i cili ka thënë se vendimi vjen pas një pritjeje njëvjeçare dhe i jep fund pasigurisë ligjore rreth realizimit të projektit.
“Një vit pritje, një vit shpresë… sot kemi përgjigjen se projekti do të realizohet dhe punimet do të fillojnë”, ka deklaruar Kastrati, duke theksuar se ndërtimi i qendrës do të vazhdojë deri në përfundimin e saj.
Sipas tij, qendra synon të ofrojë kujdes dhe shërbime të specializuara për fëmijët me nevoja të veçanta, ndërsa projekti konsiderohet një ndër më të rëndësishmit socialë në këtë fushë në Kosovë.
Organizata “Jetimat e Ballkanit”, e cila prej vitesh zhvillon aktivitet humanitar në Kosovë dhe rajon, është iniciatore e projektit, duke e cilësuar atë si investim që synon të krijojë kushte të përshtatshme dhe shërbime profesionale për fëmijët me çrregullime zhvillimore.
Lidhur me vendimin ka reaguar edhe ish-ministri Elbert Krasniqi, i cili e ka cilësuar si lajm të mirë për sundimin e ligjit dhe për qytetarët.
“Sot është një ditë e mirë për sundimin e ligjit dhe për qytetarët e Republikës së Kosovës. Me kënaqësi të veçantë mirëpres vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila konfirmoi si të ligjshëm dhe në përputhje me Kushtetutën vendimin e Qeverisë për shfrytëzimin e tokës komunale në Graçanicë”, ka shkruar Krasniqi.
Ai ka thënë se vendimi i hap rrugë realizimit të projekteve me rëndësi të veçantë sociale, përfshirë qendrën për fëmijët me autizëm dhe sindromën Down, si dhe shtëpinë e pleqve, duke e cilësuar këtë si donacion që prek drejtpërdrejt jetën dhe dinjitetin e qytetarëve në nevojë.
Krasniqi ka falënderuar organizatën “Jetimat e Ballkanit” dhe Halil Kastratin, duke theksuar se bashkëpunimi mes institucioneve qendrore dhe komunave duhet të jetë në interes të qytetarëve dhe të kthehet në rregull, jo përjashtim./Telegrafi.


