Kush do t’i mbijetojë protestës në Tiranë: Edi apo pelikanët?
Kësaj radhe Edi është kapur keq me Fevziun. Protestuesit mund të kërkojnë çfarë të duan, por Blendi ka një imazh për të ruajtur. Nuk mund të kërkojë nga Edi dorëheqjen vetëm sepse sheshet e Tiranës janë mbushur përplot me qytetarë që kërkojnë dorëheqje dhe imitojnë ... pelikanët. Edin e votoi populli. Është e vërtetë që Rama i mori mikrofonin sa herë deshi, por kësaj radhe mikrofonin në sheshe e kanë kapur ... pelikanët.
Por, nuk ndoodh jo. Megjithatë, ta imagjinojmë sikur Edi, i lodhur nga pushteti dhe nga fitoret e tij në përballje me Salën dhe gjithë opozitarët, thotë: “Në rregull, ma kërkoi Fevziu, nuk e refuzoj dot. Jap dorëheqje e shkojmë në zgjedhje”. Do të pranonte “protesta”? Kush është kryepelikani?
Ka qendër protesta? Nëse ka, ku e ka? Këtu, apo jashtë, në Zvërnec apo në Tiranë? Kush do të marrë vendim për të pranuar ose jo sfidën e Ramës? Pastaj, si do të jetë skenari? Ka skenar?
Do të dalë dikush në skenë dhe do të pyes: “Po bëhemi parti”? Disa do të thonë po e disa jo. Në parti nuk ka teatër, art, argëtim? Edhe nëse ka, skenarist, regjisor, del dot? Tashmë, me decenie, në skenën politike të Shqipërisë i vetmi artist me licencë është ... Edi.
Pastaj, sfida e radhës do të jetë që me demokraci të drejtpërdrejtë të zgjidhen kandidatët: “Ja ti atje - ti e bukura dhe e mençura që e quajte Ramën mafioz; ose ti atje që shave Ramën keq, apo ti që e kritikove, se për lavdata nuk kemi ardhur këtu”. Do ta kandidojmë atë vajzën aty, e njihni, që ka qindra mijëra klikime në Instagram apo TikTok. Je aktor teatri apo parlamenti?
Moderatori i radhës, cilido që ta ketë radhën, do të thërrasë emrat dhe do pyesë: “Ju duket çun i mirë apo gocë e hajrit ky/kjo? Kalon kandidati/ja”? Mundet populli, ta mund Edin në zgjedhje? Nëse nuk përkrahen nga opozita, mbase edhe munden ... sepse opozita po të dinte të mësonte protestuesit, nuk do të ishte opozitë, kaq gjatë.
Por, ta zëmë se ndodhë. Kështu, Edi jep dorëheqjen e kërkuar nga Fevziu, se për protestuesit nuk pyet Edi. Pastaj, në njërën anë populli, në tjetrën Edi krejt i vetëm, do të dalin në zgjedhje. Por, kush do ta votojë popullin, or vëlla, kur ka përballë alternativa si Edi apo Sala? Tashmë më shumë se tridhjetë vjet veç dy alternativa ka Shqipëria: ku populli, ku këta. Pastaj, populli nuk e njeh politikën. Nëse e njeh, përse e votoi me 80 përqind ... Edin? Lëre fare. Pyetje pafund e përgjigje fare. Protestën, ende pa ngjizur mirë, duan ta bëjnë parti, si veten. Pastaj ta mundin. Fundja kush do ta votonte një kopje?


