Kurti uron për Fitër Bajramin, në veçanti mërgimtarët që nuk patën mundësi të vijnë në Kosovë
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, përmes një videomesazhi, ka uruar besimtarët myslimanë për festën e Fitër Bajramit, duke përmendur faktin se këtë vit po festohet më ndryshe për shkak të panemdisë.
Kurti në veçanti u ka uruar festën bashkatdhetarëve tanë në mërgim që nuk patën mundësi të vijnë për festim në vendlindjen e tyre.
"Kësaj radhe mëngjesi i festës është më ndryshe, e pazakonta e pandemisë u kthye në përkushtim të sakrificave të vogla, por që kontributi i tyre është i madh”, ka thënë Kurti.
Mesazhi i plotë i Kurtit:“Për një muaj në iftar e në syfyr keni shtruar sofrën duke ndarë kafshatën me lutje e shpresë për një agjërim të pranueshëm.Festa e Bajramit është festë gëzimi, në të cilën mblidhen familjarët e miqtë për urime.Kësaj radhe, mëngjesi i festës është më ndryshe.E pazakonta e pandemisë, u kthye në përkushtim të sakrificave të vogla por që kontributi i tyre është i madh.Edhe pse jeni privuar nga lutjet tuaja në xhami, mirëkuptimi që e keni përcjellë është angazhim i solidaritetit për ruajtjen e shëndetit të secilit prej nesh.Në veçanti sivjet ua uroj Fitër Bajramin bashkatdhetarëve tanë në mërgim që nuk patën mundësi të vijnë për festim në vendlindjen e tyre.Ata vazhdojnë të na ndihmojnë aq shumë.Të gjithë ne, të gjithë atyre ju kemi borxh përjetë.Nëse dikur festonim bashkë, sot po festojmë vetëm nëpër shtëpitë tona me kujdes të shtuar e disiplinë.Paçit mbarësi e mirësi, harmoni e begati në familjet tuaja.Urime Festën”, ka uruar kryeministri në detyrë. /Telegrafi/


