Kurti takon Abdixhikun: Kur të kemi rezultate, kemi lajme për ju
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është takuar sonte me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Takimi, i cili zgjati më shumë se dy orë, u zhvillua në ambientet e Kuvendit të Kosovës.
Pas takimit për presidentin, Kurti la të nënkuptohej se akoma s’ka marrëveshje për emrin konsensual.
Kurti, kryeministër në detyrë, dhe Abdixhiku, u takuan edhe të mërkurën në përpjekje për ta arritur një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, që do t’i jepte fund krizës pothuajse dyvjeçare institucionale.
Për shkak të mospajtimeve mes partive parlamentare për pasardhësin e Vjosa Osmanit – mandati presidencial së cilës përfundoi në prill – Kosova mbajti zgjedhje të parakohshme në qershor.
Dhe ajo rrezikon të mbajë sërish zgjedhje, që do të ishin të katërtat parlamentare në dy vjetet e fundit, nëse nuk zgjidhet presidenti i ri deri në fillim të shtatorit.
LVV-ja dhe LDK-ja, pas dështimit të bisedimeve për bashkëpunim qeveritar, kanë mbajtur një takim ku kanë diskutuar për profilin e presidentit të ardhshëm dhe kanë thënë se synojnë që në takimin e radhës të dalin me emra konkretë.
Deri më tani, në media kanë qarkulluar disa emra për postin e presidentit.
Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, sipas Kushtetutës mund ta ushtrojë këtë post vetëm për gjashtë muaj – pra deri më 4 tetor.
Akti më i lartë juridik në vend nuk ka paraparë e çfarë ndodh nëse përfundon kjo periudhë dhe vendi s’ka president të ri./Telegrafi/


