Please enter at least 3 characters.

Kurti pret Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, thekson përkushtimin e Kosovës për demokraci dhe sundim të ligjit

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), ambasadorin Feridun Sinirlioğlu, me të cilin diskutoi për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe OSBE-së, zhvillimet demokratike në vend dhe situatën në rajon.

Gjatë takimit, Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së e uroi Kurtin për fitoren në zgjedhjet e 7 qershorit, ndërsa kryeministri e falënderoi për vizitën dhe vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të misionit të OSBE-së në Kosovë.

Kurti tha se bashkëpunimi me OSBE-në mbetet me rëndësi për forcimin e institucioneve demokratike, promovimin e të drejtave të njeriut, sundimin e ligjit dhe zhvillimin institucional të vendit.

“Ne duam stabilitet, jo vetëm në Kosovë, por në tërë Ballkanin Perëndimor. Ne jemi të bindur që stabiliteti i vërtetë nuk mund të ndërtohet nëpërmjet konflikteve të ngrira ose ambiguitetit politik. Ai arrihet nëpërmjet forcimit të institucioneve demokratike, duke luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe duke zbatuar ligjin ndaj të gjithëve në mënyrë të barabartë”, u shpreh Kurti.

Ai ritheksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës ndaj parimeve të OSBE-së, si demokracia, sundimi i ligjit, respektimi i të drejtave të njeriut, qeverisja e mirë, llogaridhënia dhe bashkëpunimi paqësor.

Në takim, kryeministri foli edhe për zhvillimet ekonomike të vendit, duke theksuar se Kosova ka arritur rritje të Bruto Produktit Vendor në 12 miliardë euro, rritje të të hyrave publike dhe investimeve të huaja direkte, të cilat, sipas tij, kanë tejkaluar për herë të parë vlerën prej 1 miliard eurosh. Ai theksoi gjithashtu se Kosova vazhdon të ketë një nga nivelet më të ulëta të borxhit publik në Evropë.

Kurti përmendi edhe përparimin në sundimin e ligjit, sigurinë publike dhe vlerësimet ndërkombëtare që e rendisin Kosovën ndër vendet më të sigurta në Evropë, si dhe faktin se vendi është larguar nga lista e shteteve të ndikuara nga brishtësia dhe konfliktet e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Ky ishte takimi i dytë ndërmjet Kurtit dhe Sinirlioğlu këtë vit, pas atij të zhvilluar në fillim të muajit maj në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Jerevan të Armenisë. /Telegrafi/