Please enter at least 3 characters.

Kurti përkujton Selver Haradinajn: Sulmi synonte shfarosjen e familjes, sot normaliteti po rikthehet në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 14-vjetorin e vrasjes së Selver Haradinajt, duke e cilësuar rastin si një sulm terrorist që kishte për qëllim eliminimin e tërë familjes.

Gjatë një vizite te familja Haradinaj në veri të Mitrovicës, Kurti ka rikujtuar ngjarjen tragjike dhe rrethanat në të cilat ajo kishte ndodhur.

“14 vite më parë, nga një sulm terrorist, në banesën e tij te ‘Tre Rrokaqiejt’ në veri të Mitrovicës u vra Selver Haradinaj. Gjatë vizitës sot te familja Haradinaj evokuam momente të asaj dite tragjike që me eksplozivin e vendosur pranë dritares qëllim ishte shfarosja e gjithë familjes Haradinaj”, ka shkruar Kurti.

Ai ka theksuar se për më shumë se dy dekada, familjet shqiptare në këtë pjesë të vendit kanë jetuar nën kërcënim të vazhdueshëm.

“Për mbi 20 vjet familjet shqiptare në këtë pjesë të vendit kanë bashkëjetuar çdo ditë me vdekjen. Secila dalje në qytet ka qenë pa garanci për kthim të gjallë në shtëpi nga rreziku i strukturave kriminale që kontrollonin gjithë atë zonë”, ka shtuar ai.

Kryeministri ka deklaruar se situata e sigurisë ka ndryshuar ndjeshëm, duke theksuar se grupet kriminale janë goditur.

“Por, këto banda kriminale tash janë shpartalluar e normaliteti po kthehet gjithnjë e më shumë”, ka theksuar Kurti.

Në kuadër të aktiviteteve të ditës, ai ka bërë të ditur edhe për inaugurimin e një objekti të ri institucional në veri të vendit.

“Në këtë drejtim, sot në këtë përvjetor, përuruam objektin e ri të Administratës Tatimore të Kosovës në veri të Mitrovicës, institucion ky ku do t’i marrin shërbimet të gjithë qytetarët nga komunat e regjionit të Mitrovicës”, ka përfunduar Kurti. /Telegrafi/