Kurti në meshën solemne për festën e Zojës së Bekuar në Letnicë: Vend lutjeje e bashkimi për të gjithë njerëzit
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, merr pjesë sot në meshën solemne me rastin e festës së Zojës së Bekuar, e cila po mbahet në shenjtëroren e Ipeshkvisë së Kosovës në Letnicë të komunës së Vitisë.
Në fjalën e tij, Kurti e cilëson Letnicën si vend lutjeje dhe bashkimi për të gjithë njerëzit, ku gjendet qetësia shpirtërore dhe ku për breza të tërë janë përkulur besimtarë të feve dhe kombësive të ndryshme. Ai thekson se famullia e Letnicës është një pasuri e madhe historike për Kosovën dhe më gjerë, ndërsa kujton historinë e vendosjes së trupores së “Zojës së Bekuar” në këtë vend, e cila është kthyer në simbol të bashkimit, shpresës dhe besimit të palëkundur.
Kryeministri rikujton rolin e Letnicës si vend ku Shën Nënë Tereza ndjeu thirrjen e saj hyjnore, si strehë për hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe si vend ku për shekuj janë mbledhur njerëz nga vise të ndryshme për të lutur së bashku.
“Sot nuk jemi thjesht pjesëmarrës në një festë, por pjesë e një familjeje të madhe shpirtërore, të bashkuar në Letnicë nga dashuria për Zojën Mari, Nënën e Jezusit. Nga ky vend duhet të lëshojmë një thirrje të përhershme për paqe, pajtim dhe hapje të zemrës ndaj njëri-tjetrit”, thekson Kurti.
Ai e mbyll fjalën me urimin: “Zoti e bekoftë Letnicën, dhe ndërmjetësinë e Zojës së Madhe, Kosovën tonë dhe të gjithë ata që me besim të plotë vizitojnë këtë tokë të shenjtë. Amen.”


