Please enter at least 3 characters.

Kurti: Kosova aplikoi për anëtarësim në BE në mesin e dhjetorit të vitit 2022, ende nuk shqyrtohet nga Këshilli

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se edhe pse Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian në mesin e dhjetorit të vitit 2022 ende ky aplikim mbetet i pashqyrtuar nga Këshilli.

Kurti tha se anëtarësimi në BE është zgjedhje strategjike që shoqëria e ka bërë dhe qeveria e ka prioritet.

“Me 15 prill të këtij viti u bënë 40 muaj që aplikimi ynë mbetet i pashqyrtuar nga Këshilli. Kosova është demokracia më e avancuar e rajonit, me mesataren më të lartë të rritjes ekonomike dhe e rreshtuar plotësisht me vlerat dhe politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është zgjedhje strategjike që shoqëria jonë e ka bërë dhe qeveria e ka prioritet”, tha ai.

Tutje Kurti tha se me qëllim të dinamizmit të procesit dhe për të siguruar koordinim ndërinstitucional në këtë çështje prioritare, kanë themeluar Komitetin Ekzekutiv për anëtarësim në BE.

“Kryenegociatorin me Bashkimin Evropian e autorizuam që të krijojë Task Forcë specifike, duke filluar sot me Task Forcën për Statusin e Vendit Kandidat. BE-ja duhet të zgjerohet duke u reformuar njëkohësisht. Të marrë vendime në politikën e jashtme duke ruajtur unitetin brendshëm. Këto janë të mundura dhe Kosova është gati të kontribuojë”.

Sipas tij, procesi i zgjerimit sjell reforma, avancim të demokracisë e mirëqenie ekonomike.

“Anëtarësimi bëhet për reforma, për demokraci, për zhvillim dhe për të kontribuar në projektin më të madh të përbashkët të paqes dhe prosperitetit”, ka thënë ndër të tjera Kurti. /Telegrafi/