“Kurrë nuk kam dyshuar në suksesin me Prishtinën”
“Unë jam duke jetuar në Prishtinë dhe më pëlqen qyteti, e po ashtu edhe njerëzit. E ndjej veten shumë mirë këtu, bile mund të them sikurse në Turqi”, tha Cabadak, i cili para disa muajve kishte braktisur basketbollin turk, për t’ia nisur një aventure të re në basketbollin kosovar, me Sigal Prishtinën.
“Unë kam shumë miq nga Kosova, një ndër ta është edhe Yll Kaçaniku, me të cilin edhe kam biseduar para se të vija këtu. Kam folur edhe Kandemirin dhe më pas kam pranuar ofertën e Prishtinës. Mund të them se nuk kam gabuar që të jem këtu, në këtë mes, që e duan basketbollin”.
Pas largimit të Kandemirit drejt Beshiktashit, Sigal Prishtina ishte vënë në kërkim të një trajneri të ri, i cili do t’i udhëhiqte në kampionatin vendor, por edhe në debutimin e tyre ndërkombëtar, në Ligën Ballkanike. Dhe duke ditur se Sigal Prishtina është një klub që kërkon gjithherë maksimumin, edhe trajneri që do të vinte duhej të kishte ambicie të tilla. Pas shumë spekulimeve dhe kërkimeve Sigal Prishtina vendosi që udhëheqjen e klubit t’ia besoj një turku tjetër, më të ri se Kandemir, por i etur për suksese dhe trofe.
Cabadak nuk është se ishte emër i njohur për opinionin e basketbollit në Kosovë dhe fillimisht emërimi i tij në krye të Sigalit u mor me rezerva. Mirëpo mjaftuan disa ndeshje në ETC Superligë dhe Ligën Ballkanike që Cabadaku të fitonte zemrat e të gjithëve, përfshirë edhe të “Plisave”.
Sigal Prishtina nën udhëheqjen e Cabadakut ka vetëm dy humbje në të gjitha garat zyrtare, duke qenë kështu lider në Ligën Ballkanike pas pesë xhirosh dhe po ashtu ndan kreun në renditjen e Superligës me Pejën. “Prej ditës së parë që jam këtu gjithçka ka shkuar sipas planit tim. Në asnjë moment nuk kam dyshuar se do të arrijmë ato që kemi arritur, ndoshta nuk e kam pritur vetëm një start të tillë në Ligën Ballkanike”, tha në vazhdim trajneri turk.
“E kam ditur se Sigal Prishtina ka kërkesa të larta. Sigali është një klub që tradicionalisht ka qenë në majat e basketbollit kosovar prandaj kryesia dhe lojtarët synojnë gjithnjë maksimumin. Unë kam qenë i bindur në sukses dhe nëse do t’i isha frikësuar dështimit nuk do të kisha ardhur fare”.
“Synimet tona tashmë dihen. Ne duam të shpallemi kampion të Kosovës dhe gjithashtu të luajmë në Final Four të Ligës Ballkanike. Por edhe nëse arrijmë këto suksese unë nuk mund të them nëse do të vazhdojë të jem trajneri Prishtinës apo jo. E rëndësishme është që t’i arrijmë objektivat tona, për gjërat e tjera vendosim me kohë”.
Ai është shprehur i kënaqur me cilësinë e basketbollit kosovar pasi që sipas tij është rritur dukshëm cilësia e ekipeve në krahasim me sezonin e kaluar. “Cilësia e ekipeve në Kosovë është mjaft e mirë edhe pse skuadrat mes vete dallojnë mjaft shumë. Mendoj se me kalimin e viteve basketbolli kosovar do të bëhet më tërheqës dhe cilësia e tij do të rritet. Nëse e krahasojmë me vitin e kaluar, këtë vit basketbolli ka përparuar mjaft”, përfundoi Cabadak. /Zëri/Telegrafi/


