Kur familja bëhet burim stresi: Çfarë duhet të dini para se të ndërprisni kontaktin
Para se të thoni “mjaft” dhe të shkëputeni nga familja, psikologët këshillojnë të mendoni për këto gjëra
Ndërprerja e kontaktit me një prind, fëmijë, vëlla, motër apo anëtar tjetër të familjes ndonjëherë shihet si mënyrë për të mbrojtur shëndetin mendor dhe emocional. Megjithatë, një vendim i tillë mund të sjellë edhe pikëllim, stres, faj dhe ndjenjë humbjeje.
Ekspertët theksojnë se largimi familjar rrallë ndodh për shkak të vetëm një ngjarjeje dhe se ndërprerja e plotë e kontaktit nuk është gjithmonë e vetmja zgjidhje.
Pse njerëzit largohen nga familja?
Arsyet mund të jenë të shumta: dhuna, abuzimi emocional, varësitë, konfliktet e zgjatura, kontrolli financiar ose modele të tjera të pashëndetshme të marrëdhënieve. Në disa raste ndikojnë edhe dallimet në vlera, bindje, mënyrën e jetesës apo ndryshimet në dinamikën familjare.
Hulumtimet tregojnë se largimi mes prindërve dhe fëmijëve të rritur zakonisht lidhet me disa faktorë të ndërthurur, jo me një konflikt të vetëm.
Vendimi zakonisht nuk merret brenda natës
Shumë njerëz vazhdojnë ta ruajnë një marrëdhënie familjare edhe kur ajo i lëndon, sepse humbja e lidhjes me familjen mund të jetë emocionalisht shumë e rëndë.
Kur vendosin të ndërpresin kontaktin, shpesh e bëjnë sepse ndiejnë se nuk kanë më mënyrë tjetër për ta mbrojtur veten.
Edhe perceptimi i situatës mund të ndryshojë shumë. Një prind mund të pranojë se ka bërë gabime, por të mos e kuptojë pse fëmija i rritur ka zgjedhur distancimin. Nga ana tjetër, ndonjëherë fëmija nuk arrin t’i shpjegojë qartë arsyet nga frika e një konflikti të ri.
Çfarë ndodh me emocionet?
Ndërprerja e marrëdhënies mund të sjellë pikëllim, zemërim, stres, faj, por ndonjëherë edhe lehtësim.
Disa njerëz ndihen më të lirë pasi largohen nga një marrëdhënie e dëmshme, ndërsa të tjerë mund të përjetojnë humbje dhe vetmi.
Pikëllimi nuk lidhet vetëm me marrëdhënien që ka përfunduar. Njeriu mund të pikëllohet edhe për marrëdhënien që kishte shpresuar ta ndërtonte me nënën, babanë, fëmijën, vëllanë apo motrën, por që nuk u realizua kurrë, transmeton Telegrafi.
A duhet të provoni fillimisht kufijtë?
Kur nuk ekziston rrezik i drejtpërdrejtë për sigurinë, psikologët këshillojnë që para ndërprerjes së plotë të kontaktit të shqyrtohet mundësia e vendosjes së kufijve.
Kjo mund të nënkuptojë më pak telefonata, takime më të shkurtra, shmangie të temave të caktuara ose përcaktim të qartë të sjelljeve që nuk do të tolerohen më.
Megjithatë, në marrëdhëniet ku ka dhunë, kërcënime ose kontroll serioz, siguria duhet të jetë përparësia kryesore.
Është gjithashtu e rëndësishme të kuptohet dallimi mes kufirit dhe kontrollit. Kufiri përcakton se çfarë do të bëjmë ne nëse një sjellje vazhdon, ndërsa kontrolli përpiqet t’i imponojë tjetrit se si duhet të sillet.
Mbështetja mund të bëjë diferencën
Psikoterapia, aktiviteti fizik dhe mbështetja e njerëzve të afërt mund të ndihmojnë në përballimin e stresit dhe pikëllimit.
Mbështetja nuk duhet domosdoshmërisht të vijë vetëm nga familja biologjike. Miqtë, partnerët dhe njerëzit e tjerë të afërt mund të krijojnë një rrjet të fortë përkatësie dhe sigurie.
Studimet kanë treguar se grupet e mbështetjes mund të ndihmojnë në uljen e shqetësimit psikologjik, vetmisë dhe ndjenjës së turpit.
Pajtimi nuk është detyrim
Nëse një person mendon për rikthimin e kontaktit, duhet të jetë e qartë se çfarë ka ndryshuar realisht. Kjo mund të nënkuptojë marrje përgjegjësie, respektim kufijsh, terapi ose ndërprerje të sjelljeve që kanë dëmtuar marrëdhënien.
Pajtimi duhet parë si proces, jo si një bisedë e vetme pas së cilës gjithçka kthehet menjëherë si më parë.
Nuk ekziston një rregull universal që përcakton kur duhet të qëndrojmë në një marrëdhënie familjare dhe kur duhet të largohemi. Vendimi duhet të bazohet te siguria, shëndeti psikologjik dhe realiteti i marrëdhënies, jo vetëm te presioni se “familja duhet të qëndrojë bashkë me çdo kusht”. /Telegrafi/


