Kur eleganca bëhet rrezik: pse veshjet e ngushta mund të dëmtojnë organet dhe hormonet
Rrobat e ngushta i veshim për rehati, modë ose për rritje të vetëbesimit. Megjithatë, veshja shumë e ngushtë dhe e shpeshtë mund të shkaktojë probleme serioze shëndetësore
Ndonëse nuk e vërejmë, ekziston një dallim mes veshjes së ngushtë dhe asaj tepër të ngushtë, dhe disa shenja mund të ndihmojnë për ta kuptuar këtë. Për shembull, shenjat e kuqe në lëkurë pas heqjes së rrobës tregojnë se veshja është më e ngushtë se ç’duhet. Megjithatë, në disa raste, njollat e kuqe mund të shfaqen edhe tek njerëzit me lëkurë më të ndjeshme, pa qenë domosdoshmërisht shenjë e presionit të tepërt.
Më poshtë paraqiten disa nga problemet shëndetësore që mund të shkaktojë përdorimi i shpeshtë i veshjeve shumë të ngushta.
Probleme me frymëmarrjen
Nëse vishni rroba sportive ose sytjena që e kufizojnë frymëmarrjen për një kohë të gjatë, mund të dëmtohet funksioni i mushkërive për shkak të presionit të vazhdueshëm. Kjo ndodh shpesh gjatë ushtrimeve fizike dhe mund të ndikojë negativisht edhe në metabolizmin bazal, pra në shpejtësinë me të cilën trupi djeg kaloritë.
Ndryshime posturale dhe çrregullime të sistemit muskulor-skeletor
Pantallonat ose rripat shumë të ngushtë ushtrojnë presion mbi sistemin kockor dhe nervor, gjë që me kalimin e kohës mund të shkaktojë pozicion të gabuar të legenit dhe pabarazi muskulare.
Presioni në bark nga veshjet e ngushta gjithashtu mund të shkaktojë ngurtësim të shtyllës kurrizore. Përveç kësaj, ndryshon mënyra e lëvizjes së nyjeve, pasi muskujt duhet të përdorin më shumë forcë për t’u ngritur nga ulur në këmbë, duke rritur ngarkesën mbi gjunjë, transmeton Telegrafi.
Probleme me nervat
Veshja shumë e ngushtë mund të shkaktojë kompresim të nervave, e njohur si meralgia paresthetica. Kjo gjendje manifestohet me:
- Mpirje
- Dhimbje
- Ndjesi shpimi, ftohësie ose djegieje në lëkurë
- Simptomat mund të përkeqësohen gjatë lëvizjes ose qëndrimit në këmbë.
Probleme gastrointestinale
Rrobat e ngushta rrisin presionin brenda barkut, duke shkaktuar përkeqësim të refluksit të acidit, sidomos kur vishen gjatë ngrënies.
Te personat me sindrom të zorrës së irrituar ose sëmundje inflamatore të zorrëve, veshja e tillë mund të rrisë dhimbjet dhe fryrjen. Gjithashtu, mund të shkaktojë tretje të dobët dhe kapsllëk.
Ndryshime në valët e trurit
Korsetat dhe veshjet e forta për formësim trupi që shtrëngojnë barkun mund të ndikojnë edhe në aktivitetin e trurit.
Studimet tregojnë se valët cerebrale ndryshojnë sipas shkallës së ngushtësisë së rrobave, për shkak të ndjesisë së parehatisë, edhe pse këto ndryshime nuk janë të përhershme dhe nuk shkaktojnë dëme afatgjata.
Ndikimi në zemër
Disa hulumtime sugjerojnë se veshjet e ngushta mund të rrisin rrahjet e zemrës tek disa persona, duke krijuar ngarkesë shtesë për sistemin kardiovaskular.
Probleme hormonale dhe riprodhuese
Një studim i mëparshëm ka treguar se veshja shumë e ngushtë mund të ndikojë në sistemin hormonal, duke rritur sekretimin e disa hormoneve përmes urinës për shkak të stimulimit të sistemit nervor simpatik.
Kërkimet më të reja tregojnë se tek meshkujt, veshja e ngushtë, veçanërisht e të brendshmeve, rrit nivelin e hormonit FSH (folikulostimulues), çka ul numrin e spermatozoideve.
Tek gratë, veshja e tillë mund të çojë në çrregullime menstruale ose infeksione vagjinale mykotike, sidomos nëse të brendshmet janë të papërshkueshme nga ajri.
Probleme me organet e brendshme
Kur veshjet shtrëngojnë barkun, ato pengojnë qarkullimin e gjakut në organe. Me kalimin e kohës, ky kufizim mund të shkaktojë çrregullime dhe dëmtime të funksionit të tyre.
Mbani mend!
Edhe pse moda shpesh kërkon elegancë dhe përshatje, shëndeti duhet të jetë përparësi. Zgjidhni veshje që lejojnë frymëmarrje, qarkullim normal të gjakut dhe lëvizje të lirshme të trupit. Trupi juaj do t’ju falënderojë për këtë. /Telegrafi/


