Please enter at least 3 characters.

Kryetari Totaj pret delegacionin e KfW-së, diskutohet për projekte të ujërave të zeza dhe menaxhimin e mbeturinave

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka pritur sot një delegacion nga Banka Gjermane për Zhvillim – KfW, i përbërë nga Georg Grüner, Menaxher i Projekteve për Infrastrukturën Komunale në Kosovë, Uwe Arras, Inxhinier i Lartë, dhe Premtim Islami, Specialist i Infrastrukturës Komunale nga zyra e KfW-së në Prishtinë.

Gjatë takimit u diskutua për koordinimin e projekteve në sektorin e ujërave të zeza dhe për mundësitë e avancimit të shërbimeve infrastrukturore për qytetarët e Prizrenit.

Një nga temat kryesore ishte projekti për rehabilitimin dhe modernizimin e deponisë së mbeturinave në Landovicë, i cili përfshin nxjerrjen e gazit dhe trajtimin e ujërave të ndotura. Projekti aktualisht ndodhet në fazën e dizajnimit.

Kryetari Totaj shprehu mbështetjen e komunës për realizimin e këtyre investimeve, duke theksuar se përmirësimi i shërbimeve publike mbetet prioritet.
“Komuna e Prizrenit do ta vazhdojë mbështetjen për ndërmarrjet publike, me synim krijimin e një mjedisi më të pastër dhe më të shëndetshëm për të gjithë qytetarët”, deklaroi ai. /Telegrafi/