Please enter at least 3 characters.

Kryesia e LANÇ-së në Kosovë, kërkon të çmohet rëndësia e partizanëve

2016/11/lanc.jpg

Kryesia e veteranëve të Luftës Nacional Çlirimtare të Kosovës (LANÇ), dënon përpjekjet e fundit të individëve, siç thuhet, për njollosjen e Luftës Nacional-Çlirimtare të Kosovës.

Në një komunikatë të lëshuar për media, kryesia e LANÇ-së vlerësoi se dukuritë që po shfaqen kohëve të fundit, siç janë rrënimet dhe dëmtimet e shtatoreve, pllakateve përkujtimore, prishjet e varrezave, heqja dhe ndërrimi i emrave të dëshmorëve dhe heronjve të popullit nga emërtimet e rrugëve dhe institucioneve publike, mohimet dhe damkosjet aspak të drejta të vlerave dhe kontributit të tyre për liri, janë thyese dhe të dëmshme për popullin dhe shtetin e ri të Republikës së Kosovës.

“Kërkesat e fundit që t’i ndërrohet emri i palestrës sportive ‘Sezai Surroi’ në Prizren, është shembulli më eklatantë i kësaj dukurie me çfarë tentohet të shtrembërohet historia dhe të humbet karakteri dhe kontributi i dëshmorëve që dhënë jetën për lirin e popullit tonë. Populli shqiptarë u bashkua luftës së bllokut antifashist dhe rezistoi kundër fashizmit dhe nazizmit përkrah Aleancës së madhe të popujve dhe ngadhënjyen ndaj Boshtit të nazi-fashizmit.Deri nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, rreth 50 mijë luftëtarë nga Kosova luftuan krah në krah me luftëtarët antifashist të Shqipërisë dhe të botës tjetër përparimtare. Ndër ta ishte edhe mësuesi i ri Sezai Surroi, të cilin në vitin 1944, fashistët gjermanë e varën bashkë me gjashtë shokë tjerë në qendër të Prizrenit. Pjesa më e madhe e qytetarëve të Prizrenit dhe Kosovës me vite respektojnë dhe me krenari nderojnë emrin dhe veprën e Sezai Surroit. Kontributi i tij sikur i të gjithë veteranëve të LANÇ-së, ishin shumë të rëndësishme për përpjekjet e popullit tonë për pavarësi dhe shtetin e lirë të Kosovës. Veteranët e LANÇ-së në momente kyçe të historisë së vendit, u përcaktuan drejt dhe i dhënë përkrahje Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftës së drejtë për çlirimin dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës.Historia ka nxjerrë në pah dhe ka vlerësuar pozitivisht dhe të dobishme Luftën Nacional Çlirimtare në atë periudhë të historisë së Kosovës dhe të kombit tonë. Ndaj, kryesia e veteranëve të LANÇ-së, kërkon me ngul dhe pa asnjë lëkundje të çmohet drejt rëndësia e LANÇ-së, si një faqe e lavdishme e së shkuarës, si ideal për të ardhmen dhe të refuzohen dhe kundërshtohen me vendosmëri të gjitha tentativat për njollosjen dhe abuzimin e dëshmorëve dhe të vlerave të LANÇ-së”, thuhet në komunikatën e Kryesisë së LANÇ-së.