Please enter at least 3 characters.

Kroos shumë afër rikthimit te Real Madridi

Real Madridi aktualisht po zhvillon bisedime konkrete me ish-yllin Toni Kroos lidhur me një rikthim të mundshëm të fituesit gjerman të Kupës së Botës në klub.

Sipas The Athletic, Kroos nuk do të rikthehet në fushë si lojtar. 36-vjeçari u tërhoq pas Kampionatit Evropian 2024, pasi kishte theksuar vazhdimisht se vendimi i tij ishte përfundimtar.

Që kur 36-vjeçari i vari këpucët në gozhdë, “Los Blancos” kanë mbetur pa trofe nën drejtimin e Carlo Ancelottit në sezonin 2024/25, dhe i njëjti skenar tani i kërcënon edhe në edicionin aktual, pavarësisht përpjekjeve të trajnerëve Xabi Alonso dhe Alvaro Arbeloa.

Real Madridi po shqyrton një rrugë “në stilin e Zinedine Zidane” për Kroosin. Pas tërheqjes, legjenda franceze iu bashkua klubit dhe u shndërrua në një trajner të madh, duke fituar Ligën e Kampionëve në secilin prej dy mandateve të tij në 'Bernabeu'.

“Kroos mund të nisë në një rol këshillues të ngjashëm me francezin dhe gjithashtu ta përfaqësojë klubin në ngjarje zyrtare”, shkruan mediumi.

Një pozicion brenda rrethit të ngushtë të ekipit të parë gjithashtu konsiderohet i mundshëm, ashtu si edhe një kalim i ardhshëm drejt stërvitjes, duke ndjekur rrugëtimin e vetë Zidane.

Thuhet se Real Madridi e vlerëson aq shumë përvojën dhe ekspertizën e Kroosit, sa nuk dëshiron ta “lëshojë”.

Ndërsa Santiago Solari aktualisht mban titullin e drejtorit të futbollit në klub, shefi i skautimit Juni Calafat dhe shefi Jose Angel Sanchez, të cilët e informojnë presidentin Florentino Perez për transferimet kryesore, gëzojnë ndikim shumë më të madh mbi vendimet strategjike.

Për rrjedhojë, Kroos, nëse arrihet një marrëveshje, mund të ketë rol dhe ndikim të konsiderueshëm edhe në këtë sferë./Telegrafi/