Please enter at least 3 characters.

Krem shtëpie me fasule, zëvendësim i shëndetshëm për majonezën

Fasulet e bardha kanë strukturë natyrshëm të butë dhe kremoze, prandaj janë bazë ideale për kremra të ndryshëm

Ndryshe nga qiqrat, nuk kërkojnë tahini apo sasi të mëdha vaji për të arritur teksturë të lëmuar. Në kombinim me nenexhik të freskët dhe limon, shndërrohen në një vakt të lehtë, freskues dhe të pasur me proteina bimore e fibra, që përgatitet për vetëm pesë minuta.

Ky krem është shumë praktik dhe përshtatet lehtë në ushqimin e përditshëm. Mund ta shërbeni me karota, shkopinj selinoje ose kastravec për një shujtë të shpejtë. Është zgjedhje e shkëlqyer edhe si bazë e shëndetshme për sandviçë dhe tortila, në vend të majonezës apo kremrave klasikë, si dhe si salcë me bukë të thekur ose krekerë integrale, transmeton Telegrafi.

Përbërësit:

  • 1 thelb hudhër
  • 1 konservë (rreth 400 g) fasule të bardha, të shpëlara dhe të kulluara mirë
  • 2 lugë gjelle nenexhik i freskët, i grirë imët
  • 1 lugë çaji lëvore limoni e grirë
  • 1 lugë gjelle lëng limoni i freskët
  • 1 lugë gjelle vaj ulliri ekstra i virgjër
  • 1/4 lugë çaji kripë
  • 1/4 lugë çaji piper i zi i bluar
  • Karota të vogla ose perime sipas dëshirës, për servirje

Përgatitja:

  1. Vendoseni hudhrën në blender ose në aparat grirës dhe grijeni imët.
  2. Shtoni fasulet, nenexhikun, lëvoren dhe lëngun e limonit, vajin e ullirit, kripën dhe piperin. Përziejini derisa masa të bëhet krejtësisht e lëmuar dhe homogjene.
  3. Kalojeni kremin në një enë, mbulojeni dhe lëreni në frigorifer që të ftohet dhe shijet të bashkohen mirë para servirjes.

Kremrat shtëpiakë nuk kërkojnë përvojë kulinarie, pajisje të shtrenjta apo listë të gjatë përbërësish. Me vetëm një konservë fasule dhe disa shtesa të freskëta, fitoni një vakt të shijshëm, ushqyes dhe praktik që mund ta mbani gjithmonë në frigorifer si zgjidhje të shpejtë kur ju merr uria.

Shijojeni. /Telegrafi/