Kreacioni shqiptar merr vëmendje në Festivalin e Kanës, artistja Kate Alexeeva shkëlqen e veshur nga stilistja Fortesa Çurdina
Aktorja dhe ish-mbretëresha e bukurisë, Kate Alexeeva - e njohur edhe si “Miss Universe Letonia”, ka tërhequr vëmendje në Festivalin e Filmit në Kanë me paraqitjen e saj në tapetin e kuq, ku u shfaq me një veshje glamuroze dhe të kuruar në çdo detaj.
Ajo që e bën këtë paraqitje edhe më të veçantë është fakti se për kreacionin e saj është kujdesur stilistja e njohur nga Prizreni, Fortesa Çurdina, duke sjellë kështu në një nga skenat më prestigjioze të botës së filmit një prekje të modës që vjen nga Kosova.
Në fotografitë e publikuara, Alexeeva shihet me një fustan të zi, të ngushtë dhe elegant, me prerje “strapless” që thekson linjat, ndërsa elementi që dominon të gjithë pamjen është detaji i argjendtë në formë rrjete, i cili nis nga qafa si një aksesor i veçantë dhe zbret poshtë me shkëlqim, duke krijuar një efekt unik dhe shumë modern në tapetin e kuq.
Kombinimi me flokët e kapura pas, grimin e theksuar, vathët elegantë dhe çantën “clutch” me shkëlqim e plotësoi paraqitjen e saj, duke e bërë një nga dukjet më të komentuara të festivalit.
Përtej modës, kjo paraqitje është edhe një arritje e madhe për Kosovën, pasi një kreacion nga një stiliste kosovare arrin të prezantohet në tapetin e kuq të Kanës - aty ku vëmendja e mediave ndërkombëtare është maksimale dhe ku çdo paraqitje kthehet në lajm.
Kjo konsiderohet një tjetër dëshmi se dizajnerët dhe profesionistët e modës nga Kosova po depërtojnë gjithnjë e më shumë në skenën globale, duke e ngritur emrin e vendit në platforma prestigjioze ndërkombëtare. /Telegrafi/


