Please enter at least 3 characters.

KQZ në fazën e fundit të numërimit, mbeten të numërohen votat me postë dhe ato me kusht

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në fazën e fundit të numërimeve të fletëvotimeve, nga zgjedhjete 7 qershorit.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka njoftuar se është përmbyllur numërimi i fletëvotimeve nga votimi në përfaqësitë diplomatike, ku më 6 qershor kishin votuar rreth 23 mijë shtetas të Kosovës dhe se të shtunën do të përmbyllet edhe numërimi i fletëvotimeve nga komuna e Prishtinës.

Sipas tij, ajo çfarë ka mbetur për t’u numëruar janë fletëvotimet nga votimi përmes postës dhe fletëvotimet nga votimi me kusht.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në fazën e fundit të numërimit të fletëvotimeve. Gjatë ditës së sotme (e shtunë, 12 qershor) është përmbyllur numërimi i fletëvotimeve nga votimi në përfaqësi diplomatike, ndërsa gjatë ditës do të përfundojë numërimi i fletëvotimeve në Qendrën Komunale të Prishtinës, që shënon njëkohësisht përfundimin në të gjitha komuna, 38 sosh, të procesit të verifikimit të rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime të rregullta dhe numërimit të votave të kandidatëve për deputetë.

Në vazhdim të procesit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, kanë mbetur që të numërohen fletëvotimet nga votimi përmes postës, i mundësuar në 23 kutitë postare të KQZ-së; fletëvotimet nga votimi me kusht i mundësuar në 52 vendvotime me kusht dhe votimi i personave me nevoja të veçanta”, tha Elezi për KP.

Ai tregoi se të premten në mbrëmje, KQZ ka filluar me numërimin e votave nga votimi përmes postës, i atyre fletëvotimeve që deri më tani kanë kaluar ‘testin’ e vlefshmërisë.

“KQZ ka filluar me numërimin e votave nga votimi me postë dhe ky proces do të marrë kohë disa ditë. Siç e kemi shpjeguar më herët, nga 23 kutitë postare të KQZ-së të hapura për këtë lloj votimi, janë tërhequr më shumë se 85,700 pako të supozuara me fletëvotime, pjesa më e madhe e të cilave, deri më tani, janë vlerësuar nga shërbimi votues i KQZ-së dhe janë të gatshme për t’u numëruar.

Deri në përfundim të ditës së premte (12 qershor 2026) në procesin e vlerësimit janë përfshirë mbi 60 mijë pako, prej të cilave janë aprovuar 59,973, ndërkaq janë refuzuar 2,244. Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako është sepse në 2,066 raste mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ”, tha Elezi.

Më tej, Elezi ka shpjeguar se derisa të përfundojë numërimi i fletëvotimeve, KQZ do të përgatis kushtet për fillimin e numërimit të votave nga votimi me kusht.

“Derisa të përfundojë numërimi i votave nga votimi përmes postës, do të përgatitet procesi për fillimin e numërimit të votave nga votimi me kusht, i cili është mundësuar në 52 vendvotime me kusht ku janë evidentuar 8,751 votues dhe fletëvotimet nga votimi i personave me nevoja të veçanta i mundësuar jashtë vendvotimeve përmes ekipeve mobile dhe ku kanë qenë të regjistruar për këtë lloj votimi 3,144 votues. Para se të fillohet me numërimin e këtyre fletëvotimeve, është duke u bërë skanimi i listës së votuesve të përdorur në vendvotime të rregullta dhe qëllimi është për të krahasuar të dhënat dhe për të evidentuar rastet eventuale të votimit të dyfishtë”, tha Elezi.