KOSTT merr pronësinë e ngastrës në Sojevë për vendosjen e baterive 90 MWh për ruajtjen e energjisë
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar se Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike, KOSTT, ka marrë pronësinë e ngastrës në fshatin Sojevë të Ferizajt, ku do të vendosen bateritë me kapacitet 90 MWh për ruajtjen e energjisë elektrike.
Sipas njoftimit, marrëveshja është nënshkruar ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Komunës së Ferizajt dhe KOSTT-it, duke i hapur rrugë avancimit të punimeve në kuadër të programit kompakt me Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit, MCC.
Bateritë e planifikuara do të shërbejnë për ruajtjen e energjisë në periudhat kur ka tepricë prodhimi dhe për rikthimin e saj në rrjet në momentet e rritjes së kërkesës, me synim sigurimin e një furnizimi më të qëndrueshëm dhe me kosto më të përballueshme për konsumatorët.
Ministrja Rizvanolli ka theksuar se ky projekt përfaqëson një tjetër rezultat konkret të partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke kontribuar në ndërtimin e infrastrukturës që forcon sigurinë energjetike të vendit dhe përmirëson shërbimin për qytetarët. /Telegrafi/


