Please enter at least 3 characters.

Kosova parakalon dhe merr flamurin për Lojërat e ardhshme Mesdhetare

Kosova ka parakaluar në Ceremoninë Mbyllëse të Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”, duke i dhënë fund një edicioni historik për sportin kosovar.

Flamurin e Kosovës në ceremoninë përmbyllëse e kanë mbajtur karateisti Islam Selmani dhe karateistja Fortesa Orana, në një moment simbolik pas një paraqitjeje të suksesshme të delegacionit kosovar.

Kosova në këto Lojëra Mesdhetare mori pjesë me plot 163 sportistë, ndërsa nëntë prej tyre arritën të fitojnë medalje. Ky është një rekord i ri për Kosovën në historinë e pjesëmarrjeve në Lojërat Mesdhetare.

Në mesin e sportistëve që u ngjitën në podium ishin edhe dy kampionët që siguruan medalje të arta. Islam Selmani triumfoi në karate, ndërsa boksierja Donjeta Sadiku fitoi po ashtu medaljen e artë, duke i dhuruar Kosovës momente të paharrueshme në “Taranto 2026”.

Dy medalje të argjendta u fituan nga xhudistja Laura Fazliu dhe peshëngritësi Kianoush Rostami. Rostami, i cili është nga Irani, siguroi dy medalje të argjendta duke përfaqësuar Kosovën në këto gara.

Ndërkohë, katër medalje të bronzta u fituan në xhudo. Në podium u ngjitën Akil Gjakova, Shpati Zekaj, Fatjona Kasapi dhe Flaka Loxha, duke kompletuar një paraqitje të suksesshme të ekipit kosovar.

Me këtë bilanc, Kosova e mbylli pjesëmarrjen në “Taranto 2026” me dy medalje të arta, dy të argjendta dhe katër të bronzta, duke vendosur një rekord të ri për numrin e sportistëve medalistë.

Ndërkohë, në Ceremoninë Hapëse të Lojërave Mesdhetare, nderin për ta bartur flamurin e Kosovës e kishin boksierja Donjeta Sadiku dhe taekëondisti Bleron Ademi.

Pjesëmarrja në “Taranto 2026” përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm për sportin kosovar, ndërsa rezultatet e arritura nga sportistët në disiplina të ndryshme dëshmojnë për rritjen dhe konsolidimin e Kosovës në arenën e sportit ndërkombëtar. /Telegrafi/