Please enter at least 3 characters.

Kosova nderon 250-vjetorin e Pavarësisë së SHBA-së me pullë postare

Posta e Kosovës ka promovuar solemnisht emisionin e jashtëzakonshëm të pullës postare kushtuar 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke shënuar jubileun historik të njërit prej partnerëve më të rëndësishëm të Republikës së Kosovës.

Në ceremoninë e mbajtur më 3 korrik morën pjesë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e Ngarkuara me Punë e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, si dhe Kryeshefja Ekzekutive e Postës së Kosovës, Nora Rraci.

Në fjalën e saj, Rraci tha se pulla postare përfaqëson më shumë se një element filatelik, duke e cilësuar atë si dëshmi të historisë, kujtesës dhe identitetit shtetëror. Ajo theksoi se emisioni i ri simbolizon miqësinë e qëndrueshme ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, të ndërtuar mbi vlerat e lirisë dhe demokracisë.

Kryeministri Kurti vlerësoi aleancën me SHBA-në, duke nënvizuar se mbështetja amerikane ka qenë vendimtare në shtetformimin, forcimin e institucioneve demokratike, sigurinë dhe zhvillimin e Kosovës. Ai tha se pulla e re shënon jo vetëm 250-vjetorin e Pavarësisë së SHBA-së, por edhe miqësinë e përhershme mes dy vendeve.

Nga ana tjetër, Anu Prattipati falënderoi Postën e Kosovës për këtë nderim, duke theksuar se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së mbeten të forta dhe të bazuara në vlera të përbashkëta demokratike.

Gjatë ceremonisë, Kryeministri Kurti i dorëzoi Prattipatit një pullë postare të kornizuar si simbol respekti dhe mirënjohjeje për miqësinë ndërmjet dy shteteve.

Posta e Kosovës bëri të ditur se përmes këtij emisioni filatelik synon të promovojë historinë, kulturën dhe miqësitë strategjike të vendit, ndërsa u bëri thirrje koleksionistëve dhe qytetarëve që ta përfshijnë këtë botim në koleksionet e tyre.

Me rastin e 4 Korrikut, institucioni u përcolli urimet më të mira Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës. /Telegrafi/