Please enter at least 3 characters.

“Korrupsioni i 'mveshur' në solidaritet”

Autor: Eris Hasanaj

“Pushteti korrupton, pushteti absolut korrupton në mënyrë absolute”, – Lord Acton

Në situatat e turbullta ekonomike, masat elektrizohen nga vendimet populiste të marra me qëllim solidariteti. Ndërsa, në këto kohë, çdo familje në Kosovë po përballet me çmime të larta dhe mungesë të theksuar të shpresës, fjalët “solidaritet” dhe “ndihmë” tingëllojnë si shpëtim e lirim. Por, pikërisht nën këtë petk po ndodh forma më e rrezikshme e korrupsionit: influencimi i votave me paratë publike pak ditë para zgjedhjeve.

Muajin e kaluar, qeveria në detyrë vendosi të ndajë miliona euro nga buxheti i shtetit për dy grupe të cenueshme të qytetarëve të kësaj Republike: pensionistët dhe studentët.

Pensionistët morën rritje të papritur të pensionit. Ndërsa studentët, të enjten më 6 nëntor 2025, vetëm tri ditë para ditës së zgjedhjeve të 9 nëntorit, morën mesazh personal nga kryeministri në detyrë me “urimin për fillim të suksesshëm të vitit akademik” dhe njoftimin se janë kualifikuar për shtesën prej 100 eurosh, një muaj e gjysmë pasi viti akademik kishte filluar.

Këto pagesa, edhe pse të paplanifikuara, nuk erdhën rastësisht; ato erdhën pikërisht në momentin kur qeveria kishte nevojë më së shumti për vota. Papritmas, pak javë para zgjedhjeve, buxheti “gjeti” para për të gjithë. Mirëpo kjo nuk është solidaritet; ky është korrupsion elektoral i maskuar si dhuratë, që tentoi të ndikojë votën për kandidatët e partisë në pushtet në komunat që ishin në balotazh.

Pse e konsideroj korrupsion? Së pari, sepse paraja nuk është e kryeministrit, është e taksapaguesve. Së dyti, sepse vendimi u mor ad-hoc nga një qeveri në detyrë, në fushatë zgjedhore. Së treti, sepse u zgjodhën pikërisht grupet që dalin më shumë në votime, sikurse pensionistët dhe studentët, që dukshëm janë lehtë të manipulueshëm si shkak i gjendjes ekonomike. Dhe, së fundi, sepse mesazhi personal i kryeministrit për 100 eurot nuk ishte urim, por ishte fushatë e paguar me buxhet shtetëror.

Ky lloj korrupsioni është edhe më i rrezikshëm, sepse nuk kapet lehtë me ligjin aktual, i cili fatkeqësisht nuk i dënon këto manovrime të padrejta e korruptive. Moralisht dhe politikisht është blerje votash me shumicë.

Pasoja? Njerëzit pushojnë së besuari te institucionet dhe fillojnë të presin “bamirësin” e radhës që do t’u japë para para zgjedhjeve të ardhshme. Kështu vritet demokracia, pak nga pak.

Atëherë, çfarë duhet bërë konkretisht? Fillimisht, duhet të miratohet ligj që ndalon çdo pagesë apo dhuratë nga buxheti i shtetit 6 muaj para çdo lloji zgjedhjesh (qendrore apo lokale). Tutje, çdo ndihmë në prag zgjedhjesh, jashtë buxhetit të planifikuar, të miratohet vetëm nga një komision i pavarur ku ka opozitë dhe shoqëri civile. Po ashtu, të gjitha listat e përfituesve të publikohen online brenda 24 orëve, që të mos futen kushërinjtë dhe militantët partiakë në listat përfituese.

Në fund të ditës, solidariteti i vërtetë nuk është zarf me 100 euro tri ditë para zgjedhjeve. Solidariteti i vërtetë ndërtohet çdo ditë me institucione të forta, paga më të larta, shkolla dhe shëndetësi cilësore, dhe drejtësi që funksionon për të gjithë, e jo vetëm kur politikani ka nevojë për votën tonë.

Le të mos biem më në kurthin e “bamirësit” që na jep paratë tona pak para zgjedhjeve. Le të kërkojmë llogari të vërtetë, duke u bërë qytetarë aktivë!

Sepse korrupsioni më i madh nuk është ai që vidhet, është ai që na bën të mendojmë se kështu duhet të jetuar e vepruar.

* “Ky editorial është përgatitur në kuadër të garës së eseve kundër korrupsionit, që KDI ka realizuar mes të rinjve, përfshirë pjesëmarrësit në Akademitë Kundër Korrupsionit, të organizuara në të gjitha rajonet e vendit. Qëndrimet dhe vlerësimet në editorial janë autoriale, dhe nuk pasqyrojnë medoemos qëndrimet e KDI-së dhe të Telegrafit. Kurse, aktivitetet e zhvilluara në kuadër të këtij programi, përkrahen nga Qeveria Suedeze, përmes Ambasadës së Suedisë në Prishtinë“