Please enter at least 3 characters.

Kongresistët amerikanë në Preshevë, Shaip Kamberi ngre alarmin për diskriminimin e shqiptarëve

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi është takuar sot në Preshevë me kongresistët amerikanë Keith Self dhe Suhas Subramanyam, ndërsa takimin e quajti një moment me rëndësi të veçantë për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe për vetë perspektivën demokratike të rajonit.

Kamberi në një postim në Facebook shkruan ndërkohë që Beogradi kërkon standarde të larta për serbët në Kosovë, të njëjtat standarde refuzon t’i zbatojë për shqiptarët në Luginën e Preshevës.

Deputeti shqiptar shkruan se koha e standardeve të dyfishta duhet të marrë fund.

Lexoni të plotë postimin e Kamberit:

Takimi i sotëm me kongresistët amerikanë Keith Self dhe Suhas Subramanyam paraqet një moment me rëndësi të veçantë për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe për vetë perspektivën demokratike të rajonit tonë. Ai po mbahet, në një kohë kur shqiptarët e Luginës së Preshevës vazhdojnë të jetojnë nën politika diskriminuese dhe përjashtuese nga regjimi në Beograd.

Për vite me radhë, pushteti në Serbi ka ndërtuar një qasje sistematike të margjinalizimit ndaj shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë: pasivizim administrativ të adresave për të zvogëluar artificialisht praninë shqiptare, përjashtim nga institucionet shtetërore, diskriminim ekonomik, moszhvillim të qëllimshëm dhe mohimin e të drejtave elementare kombëtare e gjuhësore si të drejta identitare.

Ndërkohë që Beogradi kërkon standarde të larta për serbët në Kosovë, të njëjtat standarde refuzon t’i zbatojë për shqiptarët në Luginën e Preshevës. Ky dualizëm politik e moral nuk mund të vazhdojë pafundësisht.

Bashkë me kryetarin e Këshillit kombëtarë, Enkel Rexhepi, kemi ngritur zërin kundër kësaj politike diskriminuese, duke kërkuar barazi reale, përfaqësim proporcional dhe respektim të marrëveshjeve të nënshkruara. Fatkeqësisht, regjimi aktual në Beograd vazhdon të trajtojë shqiptarët si problem politik e jo si qytetarë të barabartë.

Prandaj, angazhimi amerikan dhe iniciativa për Ligjin HR 6411 në Kongresin Amerikan janë me rëndësi të jashtëzakonshme. Ky ligj nuk është vetëm mbështetje për shqiptarët e Luginës së Preshevës; ai është një mesazh i qartë se diskriminimi, autoritarizmi dhe standardet e dyfishta nuk mund të jenë pjesë e së ardhmes evropiane të Serbisë.

Heshtja ndaj padrejtësive në Luginën e Preshevës vetëm sa e forcon pasigurinë, emigrimin dhe destabilitetin afatgjatë në rajon. Shqiptarët e Luginës së Preshevës mbeten të përkushtuar ndaj paqes, bashkëjetesës dhe orientimit euro-atlantik. Por pa barazi reale, pa zhvillim ekonomik dhe pa respektim të marrëveshjeve të arritura, vazhdon rreziku i zbrazjes demografike dhe i destabilizimit dhe i humbjes së besimit në institucionet ndërkombëtare.

Në Presheva sot nuk kemi fol vetëm për problemet e saj por edhe për nevojën që Ballkani Perëndimor të ndërtohet mbi drejtësi, barazi dhe standarde të njëjta për të gjithë qytetarët.

Simetria në të drejta është koncepti politik që garanton paqe afatgjate.

Koha e standardeve të dyfishta duhet të marrë fund. /Telegrafi/