Konfiskohen rreth 18 kilogramë marihuanë, dy të arrestuar në Kaçanik
Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për përfshirje në trafikim të narkotikëve, ndërsa ka konfiskuar afro 18 kilogramë substancë të dyshuar si marihuanë në rajonin e Kaçanikut.
Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur më 19 qershor 2026, rreth orës 17:30, kur hetuesit e Stacionit Policor në Kaçanik tentuan të ndalonin një veturë për kontroll. Drejtuesi i automjetit nuk iu bind urdhrit të policisë dhe arriti t’i shmangej përkohësisht ndalimit.
Pas angazhimit të njësive të ndryshme policore, vetura u lokalizua dhe u ndalua. Ndërkohë, hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) në Ferizaj, gjatë kontrollit të terrenit në rrugën ku dyshohej se kishte kaluar automjeti, gjetën tre thasë të hedhur në një hapësirë me mbeturina.
Nga verifikimet fillestare, dyshohet se në thasë ndodhej substancë narkotike e llojit marihuanë, e cila dyshohet se ishte hedhur nga personat që ndodheshin në veturë për t’iu shmangur zbulimit nga policia.
Policia ka bërë të ditur se pesha e përgjithshme e substancës së sekuestruar është 17 kilogramë e 834.6 gramë. Përveç narkotikëve, janë sekuestruar edhe prova të tjera që lidhen me rastin.
Në kuadër të hetimeve janë arrestuar dy të dyshuar: F.K. (i lindur në vitin 1961), shtetas i Republikës së Shqipërisë, dhe A.C. (i lindur në vitin 2001), shtetas i Maqedonisë së Veriut.
Rasti po hetohet si vepër penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”. Me vendim të prokurorit kujdestar të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë./Telegrafi/


