Komunat e Kosovës me shtatë kërkesa për Qeverinë
Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Aliu sot në takimin e kryetarëve të komunave me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me disa nga ministrat e Qeverisë ka parashtruar disa kërkesa të komunave për ekzekutivin.
Në këtë takim, Aliu ka folur edhe për çështjen e faljes së 100 eurove të tatimit në pronë e çështje tjera si dhe ka parashtruar të shtatë kërkesat.
Si kërkesa urgjente drejtuar qeverisë janë: Kundërshtimi për bartjen e përgjegjësisë së faljes së Tatimit në Pronë tek Komunat, sepse kjo cenon të hyrat vetanake nga të cilat varen në masë të madhe projektet kapitale në komuna.Urgjentisht të barten mjetet e të hyrave vetanake në komuna, për momentin të pezulluara.Të themelohet Granti i IV që do të krijoj barazi financiare për Komunat e Kosovës.Kërkojmë përshpejtimin e nxjerrjes së akteve nënligjore (në bazë të Ligjit të ri për Zyrtarët Publik) që rregullojnë procedurat e rekrutimit në komuna, me theks lejimin e listës pritëse në arsim dhe shëndetësisë.Komunave t’u kthehen pronat nga AKP-ja, prona këto që janë përcaktuar dhe të shpallura nga komunat për interes publik e për të cilat komunat i kanë nisur procedurat e projekteve dhe kanë njoftuar me shkrim nivelin qendror.Të krijohen mekanizma ligjor për bartjen e pronave të menaxhuara nga Agjencia e Pyjeve për zhvillim të projekteve si dhe në raste të tjera të ketë shmangie të procedurave burokratike për dhënien e lejeve për zhvillim të projekteve komunale.Të mos lejohet që Zonat Ekonomike në komuna të kalojnë në përgjegjësi të nivelit qendror por të vazhdojnë të administrohen nga Komunat. /Telegrafi/


