Komuna e Prishtinës hap tender 150 mijë euro për mirëmbajtjen e semaforëve
Kuvendi Komunal i Prishtinës ka hapur procedurë prokurimi për mirëmbajtjen e semaforëve në kryeqytet, me kontratë të paraparë për periudhë dyvjeçare.
Sipas njoftimit të publikuar në kuadër të aktivitetit të prokurimit, lënda e kontratës përshkruhet si “mirëmbajtje e semaforëve, sipas paramasës dhe specifikimit teknik”, ndërsa vlera e parashikuar e kontratës është 150 mijë euro.
Kontrata parashihet të zgjasë 24 muaj, ndërsa operatorët ekonomikë që synojnë të konkurrojnë duhet të plotësojnë kriteret dhe kërkesat e përcaktuara me legjislacionin e prokurimit publik.
Në njoftim thuhet se pas fazës së aplikimit, do të ftohen deri në gjashtë kandidatë për të dorëzuar ofertat e detajuara.
“Në bazë të aplikacioneve të pranuara, më së shumti 6 kandidatë do të ftohen për të dorëzuar tenderët e detajuar të kësaj kontrate. Nëse më shumë se 6 kandidatë të përshtatshëm i plotësojnë kriteret e mësipërme të përzgjedhjes, përparësitë dhe dobësitë relevante të aplikacioneve të këtyre kandidatëve do të riekzaminohen për të identifikuar gjashtë aplikacionet më të mira për procedurën e tenderit”, thuhet në njoftim.
Afati i fundit për pranim të tenderëve është 22 qershor. /Telegrafi/


