Please enter at least 3 characters.

Komuna e Lipjanit mohon pretendimet për parregullsi në përzgjedhjen e operatorit për pastrimin e objekteve

Komuna e Lipjanit ka reaguar ndaj, siç i ka quajtur, tendencave për keqinterpretim dhe dezinformim lidhur me procedurën e përzgjedhjes së operatorit ekonomik për mirëmbajtjen dhe pastrimin e objekteve komunale.

Përmes një sqarimi publik, komuna ka bërë të ditur se procedura është zhvilluar në mënyrë të rregullt dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi, duke theksuar se e njëjta është shqyrtuar dhe validuar edhe nga Organi Shqyrtues i Prokurimit.

"Sqarojmë opinionin publik se procedura në fjalë është zhvilluar në mënyrë të rregullt, transparente dhe në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi", thuhet në reagim.

Sipas komunës, vendimi i OSHP-së i datës 16 mars 2026, me numër 2020/0107, ka konfirmuar ligjshmërinë e plotë të procesit.

Tutje bëhet e ditur se kontrata përfshin mirëmbajtjen dhe pastrimin e objektit të komunës, arkivit, bibliotekës, Qendrës për Punë Sociale, si dhe objekteve të tjera komunale për një periudhë 24-mujore.

"Të gjitha procedurat janë publike dhe transparente, me qasje të plotë për çdo qytetar dhe palë të interesuar", thuhet më tej në njoftim.

Komuna ka reaguar edhe ndaj kritikave, duke i cilësuar si të motivuara politikisht.

"Përpjekjet për të shtrembëruar këtë proces për qëllime politike janë të papranueshme dhe në kundërshtim me interesin publik. Dezinformimi dhe manipulimi i opinionit nuk i shërbejnë së vërtetës dhe qytetarëve", theksohet në reagim.

Në fund, autoritetet komunale kanë ritheksuar përkushtimin për transparencë dhe ligjshmëri në ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve. /Telegrafi/