Please enter at least 3 characters.

Komuna e Kamenicës paralajmëron të gjithë personat që kanë uzurpuar hapësirat publike

Komuna e Kamenicës ka njoftuar të gjithë shfrytëzuesit e hapësirave publike komunale në qytetin e Kamenicës dhe në Berivojcë, ku janë të vendosura kioska, baraka dhe garazhe, që të bëjnë largimin e objekteve të tyre dhe të lirojnë hapësirat publike komunale.

Sipas njoftimit të Drejtorisë për Shërbime Publike, Ambient, Inspektorat dhe Emergjenca, procesi i largimit dhe lirimit të këtyre hapësirave duhet të përfundojë më së largu deri më 31 mars 2026.

Komuna ka bërë të ditur se, pas kalimit të këtij afati, do të nisë procedurat e ekzekutimit të detyrueshëm përmes drejtorive përkatëse.

Po ashtu, është theksuar se Komuna e Kamenicës nuk mban përgjegjësi për dëmtimin eventual të objekteve apo pajisjeve gjatë ndërhyrjes, ndërsa të gjitha kostot e largimit do të bartën nga vetë palët, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Në njoftim thuhet gjithashtu se obligohen të gjithë shfrytëzuesit e këtyre hapësirave publike, të cilët nuk i kanë kryer obligimet e pagesave deri më tani, që të paraqiten në Drejtorinë e Shërbimeve Publike, Ambientit, Inspektoratit dhe Emergjencave për kryerjen e pagesave dhe shlyerjen e borxheve në tërësi.

Për shfrytëzuesit që nuk i kryejnë obligimet financiare, Komuna e Kamenicës ka paralajmëruar se do të ndërmarrë masa ligjore të detyrimit përmes përmbarimit. /Telegrafi/