Komuna e Fushë Kosovës ndërmerr aksion për sanimin e rrugëve të dëmtuara
Komuna e Fushë Kosovës ka ndërmarrë veprime konkrete për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, përmes një aksioni të përbashkët të Drejtorisë së Infrastrukturës dhe Drejtorisë së Shërbimeve Publike.
Sipas njoftimit zyrtar, ekipet në terren kanë realizuar mbushjen e gropave në segmentet e dëmtuara të rrugëve, me qëllim rritjen e sigurisë në komunikacion dhe përmirësimin e kushteve për qarkullim.
Në terren kanë dalë edhe drejtori i Infrastrukturës, Arianit Tërmkolli, si dhe drejtori i Shërbimeve Publike, Izja Mjeku, të cilët kanë ndjekur nga afër zhvillimin e punimeve.
Autoritetet komunale bëjnë të ditur se ky angazhim synon adresimin e problemeve në rrugët më të dëmtuara dhe lehtësimin e lëvizjes për qytetarët, duke paralajmëruar vazhdimin e ndërhyrjeve edhe në zona të tjera problematike. /Telegrafi/


