Kompanitë prodhuese: Mungesa e përkrahjes po rrezikon prodhimin dhe vendet e punës
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka mbajtur një takim me bizneset anëtare nga sektori prodhues, të cilat kanë shpalosur problemet dhe sfidat me të cilat po përballen, duke theksuar se gjendja aktuale po ndikon në kapacitetet e prodhimit, shitjet dhe qëndrueshmërinë e vendeve të punës.
Sipas njoftimit të DHTIK, ndër shqetësimet kryesore janë çmimet e larta të lëndës së parë dhe prodhimeve bujqësore, rritja e kostove të energjisë dhe kostove të tjera të prodhimit.
“Bizneset kanë raportuar rënie të shitjeve deri në 20 për qind dhe rënie të fitimit, ndërsa kanë paralajmëruar se, nëse kjo situatë vazhdon, shumë kompani mund të detyrohen të ulin numrin e të punësuarve dhe kapacitetet prodhuese”, thuhet në komunikatë.
Po ashtu sipas njoftimit, prodhuesit kanë ngritur shqetësime edhe për mungesën e mbështetjes për prodhimin vendor, problemet në inkasimin e borxheve dhe kërkesën që pagesa e TVSH-së të lidhet me momentin e inkasimit të faturave.
Po ashtu, është kërkuar trajtim më i favorshëm i produkteve vendore në treg dhe mbështetje më e madhe nga marketet dhe pikat e shitjes.
Më tej thuhet se ekonomia informale, mungesa e punëtorëve profesionalë dhe vështirësitë në sigurimin e fuqisë punëtore mbeten gjithashtu sfida të mëdha. Bizneset theksuan se angazhimi i punëtorëve nga jashtë nuk ka qenë zgjidhje afatgjatë, pasi një pjesë e tyre Kosovën e përdorin si vend transit drejt vendeve të Evropës.
“Shqetësim mbetet edhe mosfunksionimi i plotë i institucioneve qendrore si pasojë e krizës politike, mungesa e angazhimit institucional, si dhe problemet në eksport, veçanërisht me Serbinë, e cila vazhdon të mos i njohë dokumentet e lëshuara nga institucionet e Kosovës”, bëhet e ditur në komunikatë.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë vlerëson se shqetësimet e sektorit prodhues kërkojnë reagim urgjent dhe një qasje të koordinuar institucionale. Prodhuesit vendorë nuk duhet të përballen të vetëm me rritjen e kostove, rënien e shitjeve, mungesën e punëtorëve, konkurrencën e padrejtë nga ekonomia informale, vështirësitë në eksport dhe pasojat e mosfunksionimit institucional. /Telegrafi/


