Klinaku: Ai që ofendon Hashim Thaçin, është tradhtar e bir tradhtari
Ish-ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, ka reaguar pas deklaratave të deputetit të Lëvizja Vetëvendosje, Fatos Geci, ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Klinaku ka publikuar një fotografi me Thaçin, duke e shoqëruar me një reagim të ashpër ndaj atyre që, sipas tij, e ofendojnë ish-krerët e UÇK-së.
“Ai që e ofendon Hashim Thaçin, është tradhtar e bir tradhtari”, ka shkruar Klinaku.
Një ditë më parë, Geci kishte deklaruar se Hashim Thaçi do të përballet me të njëjtin fat si Naim Murseli, i cili u dënua me burgim të përjetshëm për planifikimin e vrasjes së bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj.
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së Gecit, duke e quajtur " të turpshme".
“S’po di qysh me të thanë se me të thanë deputet, nuk e meriton. Nuk kisha besu kurrë që nga foltorja e Kuvendit të Kosovës vjen një lutje në vend të urimit për burgim të përjetshëm për njerëzit që kanë luftuar për lirinë e këtij vendi. Duhet të ju vijë turp”, ka deklaruar Çitaku.
Lidhur me këtë është pyetur edhe kryeministri Albin Kurti.
Ai ka thënë para gazetarëve se nuk është kryetar i ndonjë komisioni disiplinor e aq më pak për dikë që i përket një partie tjetër.
Kurti rikujtoi qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj Gjykatës Speciale, duke e cilësuar atë si “gjykatë jonormale dhe jo transparente”.
Ai shtoi se janë të bindur për drejtësinë e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës, të udhëhequr nga UÇK, si dhe për pafajësinë e krerëve që po mbahen në Hagë.


