“Kjo rinia që u çua nuk e di ku bie Narta dhe Zvërneci”, Rama nxjerr komentin e vajzës nga Vlora
Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë në rrjetet sociale një koment të një vajze nga Vlora, e cila shprehej kundër protestave për mbrojtjen e zonës së Nartës dhe flamingove, duke e cilësuar postimin si një akt solidariteti ndaj saj, përballë asaj që e quan bullizëm online.
Në reagimin e tij, Rama thotë se personat që nuk pajtohen me kauzën e protestës po “masakrohen virtualisht nga korbat e fshehur nën pupla flamingosh”, duke iu referuar fyerjeve dhe sulmeve në rrjetet sociale.
Ai e publikoi komentin e vajzës vlonjate, e cila shprehet se nuk e kupton thelbin e protestës dhe se sipas saj, të rinjtë reagojnë më shumë për çështje simbolike si flamingot sesa për probleme të tjera sociale, si dhuna në familje apo çështje të drejtësisë.
Në komentin e saj, ajo kritikon edhe diskursin publik dhe fyerjet në rrjetet sociale ndaj atyre që kanë mendim të ndryshëm, duke e cilësuar këtë si formë bullizmi dhe dhune verbale. Ajo thekson se ndryshimi duhet të vijë përmes argumentit dhe dialogut, jo përmes fyerjeve dhe polarizimit.
Rama, duke e shpërndarë këtë qëndrim, e ka përdorur si shembull për të theksuar nevojën e respektit ndaj mendimit ndryshe dhe për të kritikuar gjuhën e ashpër në debatin publik, sidomos në rrjetet sociale.
Postimi ka ngjallur reagime të ndryshme në opinionin publik, mes mbështetjes për denoncimin e bullizmit online dhe kritikave ndaj qëndrimit të tij për protestat mjedisore në zonën e Nartës.


