Kjo ngjyrë flokësh ju bën të dukeni më të moshuara, edhe pse përdoret për të fshehur thinjat
Gratë e zgjedhin për t’u dukur më të reja, por rezultati shpesh është krejt i kundërt
Ekziston një moment në jetën e pothuajse çdo gruaje kur ngjyrosja e flokëve pushon së qeni çështje mode dhe shndërrohet në çështje vetëbesimi. Thinjtë e parë nuk pyesin nëse jeni gati, nuk zgjedhin moshë apo stil jete, ndërsa vendimi se me çfarë ngjyre t’i mbuloni shpesh merret me nxitim, i udhëhequr nga qëllime të mira dhe bindje të gabuara.
Njëra prej tyre është: sa më e çelët ngjyra, aq më pak do të duken thinjat. Parukierët, megjithatë, prej vitesh paralajmërojnë se e vërteta është pikërisht e kundërta. Madje, ekziston një nuancë që vazhdimisht i vë gratë në gabim.
Cila është ngjyra më e keqe për mbulimin e thinjave?
Nëse i pyesni floktarët se cilën ngjyrë nuk do t’ua rekomandonin kurrë grave që duan të fshehin thinjat, përgjigjja në shumicën e salloneve është e njëjtë - blondja platin.
Edhe pse konsiderohet simbol i shkëlqimit, luksit dhe rinisë së përjetshme, në praktikë kjo ngjyrë shpesh punon kundër jush.
“Gratë shpesh mendojnë se, nëse bëhen shumë bionde, do të duken më të reja dhe më të freskëta. Por nëse ngjyra juaj natyrale nuk është e çelët, nuanca platin pothuajse gjithmonë i thekson thinjat, në vend që t’i mbulojë”, shpjegon Niki Lazu, themeluese e markës Lazou Hair, përcjell Telegrafi.
Pse blondja platin i zbulon thinjat?
Problemi qëndron te pigmenti ose më saktë, te mungesa e tij.
Nuancat shumë të çelëta, pothuajse të bardha, nuk kanë mjaftueshëm thellësi për ta “kapur” thinjën. Rezultati shpesh është një ngjyrë jo e njëtrajtshme, me fije që duken transparente, gri apo madje të verdhëzuara. Në vend të një kalimi të butë, krijohet kontrast që i thekson edhe më shumë shenjat e moshës.
Për më tepër, thinjat janë natyrshëm më rezistente ndaj bojës. Te tonet platin, shpesh ndodh që ngjyra natyrale të dalë në sipërfaqe pas vetëm disa larjesh, duke e bërë flokun të duket i çrregullt dhe pa jetë.
Një tjetër problem që shpesh neglizhohet
Ngjyra platin kërkon mirëmbajtje të shpeshtë. Rrënjët e rritura duken shumë shpejt, prandaj ngjyrosja duhet përsëritur në intervale të shkurtra. Kjo do të thotë më shumë kimi, më shumë tharje dhe më shumë dëmtim të flokut.
Në një flokë të tillë, thinjat bëhen edhe më të dukshme.
Edhe kur punën e kryen një floktar shumë i mirë, nuk ka garanci që rezultati do të zgjasë apo të duket natyral, veçanërisht nëse toni i lëkurës nuk është shumë i çelët. Në këto raste, blondja platin mund të theksojë rrudhat, skuqjen dhe pabarazitë e tenit.
Cilat ngjyra në fakt të rinojnë?
Ekspertët bien dakord se nuancat mesatare deri të errëta janë zgjedhja më e mirë për gratë që kërkojnë një pamje natyrale dhe mbulim të mirë të thinjave.
Veçohen sidomos:
- tonet e ngrohta çokollatë
- lajthia dhe karamelja
- bluja e errët me nën-ton të ngrohtë
- kafe e çelët me fije flokësh shumë delikatë
Këto ngjyra kanë mjaftueshëm pigment për ta unifikuar flokun, për t’i dhënë shkëlqim dhe thellësi, duke i zbutur njëkohësisht tiparet e fytyrës.
Një truk i vogël që bën diferencë të madhe
Në vend të një ngjyre të njëtrajtshme, parukierët gjithnjë e më shpesh këshillojnë ndriçim të pjesshëm të flokëve ose teknikën balayage, jo për ta zbardhur, por për t’i dhënë dimension dhe lëvizje.
Në këtë mënyrë, thinjat bëhen më pak të dukshme, rritja e rrënjëve është më diskrete dhe floku duket më natyral e më i shëndetshëm.
Ngjyra e flokëve nuk është luftë kundër viteve
Gabimi më i shpeshtë që bëjnë gratë është përpjekja për t’u “arratisur” nga vitet përmes flokëve. Ngjyra e duhur nuk e ndal kohën, por mund t’ju bëjë të dukeni të kuruara, të freskëta dhe të sigurta në vete.
Dhe pikërisht kjo është ajo që vërtet të rinon. /Telegrafi/


