Please enter at least 3 characters.

Kina konfirmon numrin e të vdekurve dhe të zhdukurve pas përmbytjeve në Nepal dhe Tibet

Kina ka konfirmuar se 43 persona kanë humbur jetën dhe 519 të tjerë rezultojnë ende të zhdukur pas përmbytjeve të fuqishme që goditën Nepalin dhe Tibetin më shumë se një javë më parë.

Televizioni shtetëror kinez CCTV raportoi se 261 prej personave të zhdukur janë shtetas të huaj.

Sipas agjencisë së menaxhimit të fatkeqësive në Nepal, përmbytjet kanë shkaktuar deri tani më shumë se 1,300 viktima në të dyja anët e kufirit, ndërsa rreth 5,000 persona rezultojnë ende të zhdukur.

Ekspertët dyshojnë se përmbytjet mund të jenë shkaktuar nga shembja e një akullnaje në anën nepaleze të kufirit.

Një prej zonave më të goditura është pika kufitare Gyirong, që lidh Tibetin me Nepalin.

Ajo u shkatërrua nga një rrëshqitje masive dheu dhe balte, e përshkruar si e ngjashme me një cunami.

Gyirong ishte pika kryesore kufitare tokësore mes Kinës dhe Nepalit për më shumë se një dekadë, pasi tërmeti i vitit 2015 dëmtoi rëndë një pikë tjetër kufitare më në lindje.

Pamjet e filmuara gjatë fundjavës tregojnë se ndërtesa pesëkatëshe e doganës kineze është zhdukur plotësisht, duke mos lënë gjurmë pas katastrofës.

Ekipet e shpëtimit e kanë ndarë zonën e kërkimit në shtatë sektorë, ndërsa tre prej tyre ende nuk janë kontrolluar.

Operacionet janë vështirësuar nga rreziku i rrëshqitjeve të dheut, moti i keq dhe balta e thellë.

Të shtunën, ekipet e shpëtimit në Nepal arritën të nxirrnin të gjallë një punëtor kinez, i cili kishte mbetur i bllokuar në një tunel të lidhur me një hidrocentral.

Rruga e vetme tokësore për në Gyirong u rikthye në funksion të mërkurën në mëngjes, duke i mundësuar Kinës të dërgojë pajisje të rënda për operacionet e shpëtimit dhe rindërtimit.

Ndryshe, zona nuk është vetëm një pikë e rëndësishme tregtare.

Vitet e fundit, ajo është shndërruar edhe në një rrugë kalimi për mijëra pelegrinë hindu që udhëtojnë përmes Nepalit drejt Malit Kailash, një vend i shenjtë për hinduistët dhe budistët.

Diplomatët në Pekin kanë bërë të ditur se shumë prej shtetasve të huaj që rezultojnë ende të zhdukur në Tibet ishin pelegrinë. Mes personave të zhdukur janë edhe 49 shtetas indianë.