Kimmich zbulon arsyen pse po e mbështet Arsenalin në finale të Ligës së Kampionëve
Joshua Kimmich ka zbuluar se do ta mbështesë Arsenalin në finalen e Ligës së Kampionëve kundër Paris Saint-Germain.
Mesfushori i Bayern Munich dëshiron që bashkëlojtari i tij te Kombëtarja e Gjermanisë, Kai Havertz, ta ngrejë trofeun dhe beson se suksesi në nivel klubesh mund t’i shërbejë edhe ekipit kombëtar në prag të Kupës së Botës.
Kimmich ka konfirmuar se do të jetë në krah të Arsenalit kur ata të përballen me PSG-në në finalen e Ligës së Kampionëve, pavarësisht se Bayern u eliminua nga skuadra franceze në gjysmëfinale.
Mesfushori bavarez e bëri të qartë se mbështetja e tij nuk lidhet me ndonjë mllef ndaj PSG-së.
Përkundrazi, Kimmich është i fokusuar te dëshira që Havertz të arrijë sukses në skenën më të madhe të futbollit evropian për klube.
Kimmich beson se një triumf i Havertz në Ligën e Kampionëve do të ishte një shtysë e madhe përpara angazhimeve të ardhshme të Kombëtares së Gjermanisë gjatë kësaj vere.
“I uroj Kai sukses që të vijë te ne pas një suksesi. Një titull i tillë sjell energji pozitive”, ka thënë Kimmich.
Pavarësisht suksesit jashtë vendit, Kimmich mendon se sulmuesi i Arsenalit jo gjithmonë merr vlerësimin që e meriton nga tifozët dhe mediat gjermane, duke theksuar fleksibilitetin dhe cilësinë e tij teknike.
“Ai është një lojtar jashtëzakonisht i rëndësishëm për ne dhe është i nënvlerësuar në Gjermani. Në Euro ishte vendimtar, sepse sjell një paketë të jashtëzakonshme të përgjithshme që do të na ndihmojë”. shtoi Kimmich./Telegrafi/


